Sulmuesi i Juventusit, Mohamed Ihattaren, raportohet të jetë arrestuar në Holandë me dyshimin për sulm ndaj ish-të dashurës së tij.
De Telegraaf bën të ditur se 21-vjeçari, i cili është kthyer në Amsterdam për ditëlindjen e tij, është arrestuar nga policia të dielën, pasi dyshohet se kishte sulmuar ish të dashurën.
Policia e ka bastisur shtëpinë e lojtarit sot (e hënë) duke kontrolluar gjërat e tij dhe duke i lënë një shënim që t’i merrte çelësat e shtëpisë në një stacion policie në Utrecht.
Një zëdhënës i policisë, në deklaratën e tij nuk është treguar i qartë duke theksuar se “një 21 vjeçar është marrë në pyetje dhe është në paraburgim” për një incident të paspecifikuar në familje.
Ky është arrestimi i dytë i Ihattaren brenda pak muajsh. Në nëntor, ai u arrestua me dyshimin se ishte i përfshirë në një kërcënim ndaj një personi tjetër.
Çështjet jashtë fushës e kanë prishur karrierën e 21-vjeçarit, pasi ai dikur konsiderohej si një nga lojtarët më premtues të brezit të tij, kur ai depërtoi në skuadrën e parë të PSV Eindhoven në vitin 2019.
Juventusi e transferoi në gusht të vitit 2021 për një shumë prej dy milionë eurosh dhe menjëherë e huazoi te Sampdoria, ku gjërat filluan të shkonin keq.
Pas periudhës së pasuksesshme te klubi italian, ai u huazua te Ajaxi, nga ku u largua një vit, teksa kishte regjistruar vetëm një paraqitje për klubin nga Amsterdami. /Telegrafi/