Nga: Ndriçim Kulla
Platoni pat mbetur i zhgënjyer nga demokracia athinase, fajtore sipas tij për dënimin me vdekje të qytetarit të vet më të drejtë, Sokratit. Pikërisht, për këtë arsye, frymëzimi themelor i filozofisë platonike është i natyrës politike dhe synon realizimin e qeverisë më të mirë, shtetit ideal, në të cilën njeriu i drejtë të mund të konsiderohet për atë që meriton. Nga ana tjetër, Sokrati, falë një paradoksi tragjik, njihet edhe si personifikimi i njeriut të drejtë që u bë viktimë e ligjit.
E një ndodhi e tillë ngre menjëherë pyetjen: mos vallë do të qe më mirë që Sokrati, i dënuar mbi bazë të akuzave false, t’i shmangej dënimit kapital në respekt të drejtësisë së vërtetë? Në lidhje me këtë Platoni duket pothuajse i gatshëm ta justifikojë faktin e mosbindjes ndaj një shteti që, ashtu si demokracia athinase, shpie drejt vdekjes qytetarin e saj më të mirë.
E, kjo për faktin se qytetari i mirë nuk është, sipas tij, ai që i nënshtrohet përulësisht ligjit pozitiv, por ai që ndjek ligjin e drejtë, atë moral, të diktuar nga vizioni i së mirës. Për Platonin, pra, dukej e patolerueshme që ligji pozitiv të shfaqej kaq i largët nga drejtësia e vërtetë. Për po të njëjtin problem, Sokrati kishte mësuar që detyra e njerëzve është ajo e respektimit si të ligjit pozitiv, ashtu edhe atij moral.
Kur ndodh që një qytetar duhet të kontestojë ose të mos zbatojë një ligj të lëshuar nga shteti. sepse “djalli” që ka brenda vetes i zbulon se ligji është i padrejtë, ai duhet ta bëjë këtë gjë duke pranuar të pagojë dënimin që sjell ky veprim. Mirëpo, Platoni përpiqet të shkojë përtej këtij mësimi; në mënyrë që të ndalohet mundësia që një ligj të dënojë një njeri si Sokrati, nevojitet të gjendet një mënyrë për t’i bërë të pajtueshëm ligjin moral me ligjin pozitiv. Bazuar në këtë perspektivë, kërkimi se cila është qeveria më e mirë, ajo njerëzore apo ajo e ligjeve, ka përbërë pyetjen qendrore të të gjithë historisë së mendimit politik.
Gjithsesi, ajo çka duhet kuptuar qartësisht është fakti se këtu nuk bëhet fjalë për një pyetje mbi ligjin dhe formën e qeverisjes, por për mënyrën e kësaj qeverisje. E, në udhën e shekujve, dy kriteret e një qeverisje të mirë patën qenë: qeverisja e së mirës së përbashkët që i kundërvihet interesave private dhe qeverisja sipas ligjeve të vendosura kundër një qeverisjeje të keqe.
Sipas Platonit, qeverisja e “qytetit ideal” duhet të jetë domosdoshmërisht aristokratike (sipas kuptimit të fjalës greke aristevein, që do të thotë të veprosh për t’u bërë më i mirë”), pra e udhëhequr nga njerëz të ndershëm e me integritet, nga “rojtarët e përsosur” që zotërojnë sensin e shtetit dhe idenë e së mirës së përbashkët.
Këta janë, pikërisht, njerëzit e drejtë që nuk kanë nevojë për ligje për të vepruar e për të bërë mirë, e në sajë të këtyre cilësive paraqiten edhe si njerëzit e duhur për të krijuar ligje të drejta. Është përsëritur shpesh që “Republika” e Platonit është një utopi, po kështu edhe maksima e sapopërmendur në kohët tona nuk gjen shumë konsensus, pasi duket më e udhës që formulimi i ligjeve t’i lihet kolektivitetit i cili shpesh atë që konsiderohej e drejtë nga ana e disa ligjvënësve e ka nxjerrë si të dëmshme për të gjithë komunitetin (rasti më emblematik do të qe ligji i mbetjeve, apo dhe marrëveshja e shelfit detar me Greqinë, për të përmendur dy më të rëndësishmit në realitetin e sotëm shqiptar).
Ndaj, sipas teorisë politike, parësinë në këtë debat e ka edukimi i legalitetit, e për pasojë ideali i “qytetarit shembullor” duket t’i takojë Sokratit i cili vendos sensin e tij të drejtësisë dhe ndërgjegjen e vet morale në shërbim të ligjeve të qytetit, dhe nuk pretendon, ashtu siç bën dishepulli i tij i madh, Platoni, të jetë depozituesi i së vërtetës dhe burimi i ligjit. Mirëpo, ajo që është më e rëndësishmja për t’u kuptuar në pozicionin e Sokratit, përveç nevojës së respektimit të legalitetit, është edhe përcaktimi i fakteve se armiq të demokracisë mund të jenë si qytetarët që nuk interesohen për të Mirën, ashtu dhe ata (cilitdo qofshin) që pretendojnë të kenë në zotërim një ide të plotë e të përfunduar të saj.
Demokracia është një kornizë e pamasë mundësish, që duhet të mbushet prej një ethosi. Që nga historia antike e deri në epokën moderne, duke filluar nga Ksenofoni, Makiaveli, Erazmi e shumë të tjerë, janë shkruar mjaft traktate të edukimit të princërve. Duket të mos ekzistojnë vepra analoge për edukimin e qytetarit demokratik. Në një kohë që ato janë të domosdoshme, pasi demokracitë në kushte dhe rrethana të caktuara mund të “vetëvriten” prej kësaj mangësie.
Nuk mjaftojnë ligjet e kushtetutat e mira, nevojiten “njerëz të mirë” që të jetojnë me shpirtin demokratik të kushtetutave. E kjo pasi qëllimi i fundit nuk është ai i të kuptuarit se ç’është demokracia, por ajo e të qenit demokratikë, ose e thënë ndryshe, kapaciteti i ndërfutjes në sjelljen tënde i demokracisë si ideal, si virtyt për t’u nderuar e për t’u përkthyer në praktikë. Në këtë kuptim, pra në drejtimin e mbushjes së këtij boshllëku të madh në ekzistencën e një pedogogjie të caktuar për këtë qëllim, mund të përmendim kontributin e filozofes së njohur amerikane Marta Nussbaum.
Duke perifrazuar një libër të saj mjaft të vlerësuar si “Kultivimi i humanitetit” (2006), mund të themi me siguri se analizat e saj mbi edukimin sokratik dhe atë universitar bashkëkohor, janë kultivuar nën dritën e idealit sokratik të “qytetarit të mirë”, deri në pikën që ai arrin të shndërrohet në objektivin e një debati të ndershëm moral dhe në modelin pedagogjik të evolucionit të racionalitetit publik.
Të bëhesh një “qytetarit i mirë”, sipas saj, nuk nënkupton vetëm fuqizimin e bagazhit të njohurive dhe kuptimin e teknikave të arsyetimit, që sidoqoftë janë themeltare për t’u mësuar, por nënkupton diçka më shumë, nënkupton të mësojmë të jemi të aftë të dashurojmë, të përdorim imagjinatën e të arrijmë kështu të pjesmarrim me imagjinatë në jetën e të tjerëve. Kjo gjë, natyrshëm që nuk mund nxirret magjikisht nga asgjëja, pa u ndërfutur lirisht si pjesë thelbësore e edukimit.
“Gjendemi në mes të një krize me përmasa të padëgjuara dhe të një shtrirjeje globale”, shpjegon ajo. Këtu nuk i referohem krizës ekonomike mbarëbotërore të nisur më 2008. Për të u morën dhe vazhdojnë të merren të gjitha masat e duhura që ajo të përballet në mënyrën më të volitshme, pasi rrjedhimet për qeveritë përkatëse do të qenë vërtet të rënda. I referohem, përkundrazi, një krize që kalon e pa vëzhguar nga shumëkush, që punon në heshtje, si një kancer, një krize të destinuar për të qenë në perspektivë, shumë më e dëmshme për të ardhmen e demokracisë: kriza botërore e mësimdhënies.
Imperativi i rritjes ekonomike i ka nxitur shumicën e qeverive evropiane ta rishikojnë të gjithë sistemin e edukimit universitar, në format e mësimit dhe edukimit, të orientuar sipas linjave përkatëse të zhvillimit ekonomik të çdo vendi, duke kërkuar nga secila prej disiplinave shkencore të kontribuojë efektivisht ndaj rritjes ekonomike. Demokracitë zotërojnë resurse të mëdha të inteligjencës dhe imagjinatës.
Por, nga ana tjetër, janë të hapura ndaj një serie rreziqesh të tilla si kapaciteti i mangët i arsyetimit, provincializimi, ngutja, inercia, egoizmi dhe varfëria e shpirtit; cilësi këto, që në një demokraci hibride si kjo e Shqipërisë rëndohen e zmadhohen fort deri në përmasat e një krize të thellë. Aq më tepër që edukimi, i cili i jep llogari kërkesave të tregut global, i “humnerizon” frikshëm këto mungesa, duke prodhuar me një butësi dhe epshmëri të errët, teknicienë të bindur e të nënshtruar (të zbutur), që në fund arrijnë të kërcënojnë edhe vetë jetën e demokracisë, duke penguar pa kthim krijimin e kulturës së një “jete të jetuar në mënyrë të drejtë”, ashtu siç mësonte Sokrati dhe klasikët e stoicizmit.
Nga ana tjetër, edhe politikanët gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre nuk lënë të shfaqet në horizont asnjë shenjë e mbarë në lidhje me sistemin e edukimit. Ata duhet të përgatiten për zgjedhjet në intervale relativisht të shkurtra kohe e për më tepër në periudha krizash ekonomike, ndaj kanë nevojë të paraqiten para zgjedhësve me rezultate konkrete të tipit “kam gjeneruar kaq vende pune dhe kam rritur me kaq për qind PBB-në”. Ndërkohë, rezultatet më pak konkrete si p.sh. “kam hedhur bazat për ruajtjen e demokracisë në një perspektivë afatgjatë”, duket të mos shpjegohen më nëpër fushatat zgjedhore.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje