I mitur nga Shqipëria, ia merr veturën babait dhe kalon në Kosovë, raportohet i zhdukur

Një i mitur nga Shqipëria raportohet se është zhdukur në Kosovë, pasi dyshohet se ka marrë pa leje veturën e babait të tij dhe është larguar nga banesa.
Sipas familjarëve, bëhet fjalë për Mariglen Dautin, 14 vjeç. Familjari i tij, Dritan Dauti, ka deklaruar për Report TV se i mituri ka marrë pa dijeninë e prindërve automjetin e babait të tij, një Mercedes-Benz E-Class me targa AB 379 RY.
Sipas informatave të familjes, hera e fundit që Marigleni është parë ka qenë më 5 janar 2026, rreth orës 16:00, në një pikë karburanti “Petrol Pomp” në segmentin rrugor Pejë–Prishtinë, në territorin e Kosovës.
Familjarët bëjnë të ditur se i mituri nuk ka dokumente identifikimi me vete dhe u kanë bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe qytetarëve për ndihmë në gjetjen e tij.
Çdo person që ka informacion mbi vendndodhjen e Mariglen Dautit, kërkohet të njoftojë menjëherë autoritetet policore.
Ndërkohë, Policia e Shqipërisë ka njoftuar se më 5 janar 2026, në Komisariatin e Policisë Has, familjarët kanë paraqitur kallëzim për zhdukjen e 14-vjeçarit. Sipas njoftimit zyrtar, i mituri ka marrë pa leje automjetin e babait dhe është larguar nga banesa.
“U bë shpallja në kërkim e 14-vjeçarit, ndërkohë shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet për gjetjen e tij”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet proceduriale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.





















































