Naveed Akram, i dyshuari i mbijetuar nga sulmi masiv me armë zjarri të dielën në Bondi Beach në Sidnei të Australisë, është akuzuar për 59 vepra penale, përfshirë 15 akuza për vrasje dhe një akuzë për kryerjen e një akti terrorist, sipas Policisë së Uellsit të Ri Jugor (New South Wales).

Sulmuesi tjetër, babai i tij Sajid Akram, 50 vjeç, u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë në vendngjarje.


Pesëmbëdhjetë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulm, i cili kishte në shënjestër komunitetin hebre të Australisë gjatë një aktiviteti që shënonte natën e parë të Hanukës.

Ky ishte sulmi më vdekjeprurës me armë zjarri në shtetin australian që nga viti 1996, raporton bbc.

Akram përballet gjithashtu me 40 akuza për shkaktim të dëmtimeve të rënda trupore me qëllim vrasjeje, si dhe me një akuzë për shfaqje publike të simbolit të një organizate terroriste të ndaluar.

Ai u plagos rëndë gjatë incidentit të së dielës dhe seanca e parë gjyqësore u mbajt pranë shtratit të tij në spital, njoftoi gjykata lokale e Uellsit të Ri Jugor.

Çështja është shtyrë deri në prill të vitit 2026, shtoi gjykata.

Njëzet persona të plagosur në sulm vazhdojnë të jenë të shtruar në spitale në Sidnei, ndërsa një person mbetet ende në gjendje kritike.

Policia e ka cilësuar sulmin si një incident terrorist, ndërsa kryeministri australian, Anthony Albanese pohoi se të dyshuarit duket se kanë qenë “i motivuar nga ideologjia e grupit Shteti Islamik”.

Policia njoftoi se në automjetin e përdorur nga sulmuesit janë gjetur flamuj “artizanalë” të Shtetit Islamik dhe mjete shpërthyese të improvizuara (IED). /Telegrafi/