Komuna e Gjilanit ka njoftuar për mbështetjen e ofruar ndaj të rinjve, sportistëve dhe artistëve të qytetit, duke theksuar se përmirësime progresive janë realizuar edhe në infrastrukturën e këtyre fushave.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, deklaroi se Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh për promovimin e kulturës, sportit dhe rinisë.
“Buxheti i planifikuar për këto fusha ishte 60 mijë euro në vitin 2021. Në vitin 2022 e rritëm në 175 mijë euro, në vitin 2023 në 280 mijë euro, ndërsa në vitin 2024 kemi arritur në mbi 360 mijë euro për subvencionimin e kulturës, rinisë dhe sportit,” tha Hyseni.
Ai theksoi se Drejtoria ka bërë 19 thirrje publike nga fillimi i mandatit deri tani dhe se ndarja e mjeteve është realizuar në mënyrë transparente.
“Një subvencionim i veçantë është ofruar për ‘Flakën e Janarit’, ku mjetet janë ndarë para mbajtjes së manifestimit. Po ashtu, janë ndarë subvencione për programin e Galerisë së Arteve dhe për shpërblimin e më të mirëve të vitit,” shtoi ai.
Hyseni përmendi edhe mbështetjen për kategori të veçanta, OVL-të dhe organizimet përkujtimore për dëshmorët. Ndër subvencionet e tjera përfshihet mbështetja për ekipet që luajnë në Superligë, Orkestrën Frymore, si dhe transportin për ekipet sportive dhe tifozët.
Kryetari tregoi për progresin në digjitalizimin e një pjese të madhe të aktiviteteve kulturore, përfshirë arkivën kulturore të Muzeut Rajonal, Muzeut Etnologjik dhe ish-Burgut, të cilat tashmë janë të qasshme në format 3D. Ai theksoi gjithashtu digjitalizimin e bibliotekës, që përfshin pasurimin me mbi 20 milionë tituj të rinj dhe furnizimin me pajisje digjitale si tabletë të mençur.
Hyseni foli edhe për projektin kapital të ndërtimit të Kult Qendrës, që do të përfshijë Teatrin, Galerinë dhe hapësira të tjera të reja, si dhe funksionalizimin e Kinemasë. Vlera e këtij projekti është 1.2 milionë euro.
“Po ashtu, kemi nënshkruar kontratën prej rreth 2.7 milionë euro për rinovimin e Palestrës së Sporteve, duke u krijuar sportistëve kushte të shkëlqyera për stërvitje dhe gara,” tha ai.
Hyseni shtoi se do të nisë renovimi i Shtëpisë së Kulturës në Zhegër, për të cilën është shpallur tenderi, si dhe renovimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Cërnicë, ku projektet tashmë janë hartuar dhe fondet janë ndarë.
Në lidhje me “Flakën e Janarit”, ai theksoi se janë mbajtur shtatë dëgjime publike me komunitetin artistik për ristrukturimin e manifestimit, duke përfshirë sugjerimet e tyre në thirrjen publike për ta bërë festivalin sipas pritshmërive të artistëve.
Kryetari njoftoi gjithashtu për themelimin e Galerisë së Arteve të Qytetit dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Qytetit, duke shtuar se ky i fundit ende nuk është votuar nga Kuvendi Komunal. /Telegrafi/