LAJMI I FUNDIT:

Hulumtimi për ikjen e investitorëve “përplas” MTI-në me AKB-në

Hulumtimi për ikjen e investitorëve “përplas” MTI-në me AKB-në

Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB), e cila drejtohet nga Agim Shahini, ka publikuar një hulumtim për ikjen e investitorëve të huaj nga Kosova, i cili po kundërshtohet ashpër nga drejtuesit e Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Hulumtimi i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) për ikjen e investitorëve të huaj nuk po vlerësohet si kredibil nga përfaqësuesit e Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë (MTI).

Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB) ditë më parë ka publikuar një hulumtim, në të cilin thuhet se 94 për qind e investitorëve që e kanë vizituar Kosovën janë larguar nga vendi pasi kanë gjetur një klimë më të favorshme për investime në shtetet tjera.


Por rezultatet e tilla të hulumtimit po i hedh poshtë Enver Hajrullahu, këshilltar i ministrit të Tregtisë dhe të Industrisë, Bajram Hasani.

Hajrullahu ka deklaruar për “Zërin” se ky hulumtim nuk ka qëllime dhe e ka vlerësuar si propagandues.

“Klima për investime është dëshmuar edhe në raportin e fundit të Bankës Botërore, ku Kosova është ranguar si top-reformatore në të bërit biznes, duke u radhitur në vendin e 40-të dhe në vendin e 10-të si vendi më reformatore. Kjo tregon më së miri klimën e investimeve në Kosovë dhe këto propaganda nuk janë të mira për shtetin e Kosovës dhe nuk kanë qëllime të mira”, ka thënë për gazetën “Zëri” këshilltari i ministrit Hasani.

Ai ka përmendur edhe takimet me investitorët e huaj, që sipas tij e vlerësojnë klimën e të bërit biznes në Kosovë. /Zëri/Telegrafi/