LAJMI I FUNDIT:

Hoxha: Kemi filluar fushatën për vetëdijesimin e qytetarëve për liberalizimin e vizave

Hoxha: Kemi filluar fushatën për vetëdijesimin e qytetarëve për liberalizimin e vizave

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti në takim ambasadorët e akredituar në Republikën e Kosovës, me ç’ rast i informoi rreth procesit të liberalizimit të vizave dhe kërkoi përkrahje në këtë drejtim.

Hoxha theksoi se e vetmja rrugë që shpie përpara Kosovën është procesi i integrimit në BE, zbatimi i MSA-së dhe ERA-s.

Ministrja i njohu ambasadorët me fushatën për liberalizimin e vizave që do të zgjerohet deri në mes të shtatorit, në bashkëpunim me zyrën e Kryeministrit me përkrahjen e GIZ-it.


Ajo bëri të ditur se fushata do të përfshijë edhe Kuvendin dhe institucionet tjera relevante.

“Duhet të japim më shumë informata për shtetet skeptike të BE-së. Prandaj, së shpejti presim ta bëjmë një informim të detajuar me fokus në reformat për sundimin e ligjit, statistikat e migrimit, menaxhimin e kufijve dhe të drejtat e njeriut”, theksoi Hoxha, duke shtuar se janë gati të ofrojnë gjithë bashkëpunimin e mundshëm për të siguruar vendet anëtare të BE-së se liberalizimi i vizave nuk do të keqpërdoret, por edhe duke i njohur ata për domosdonë e lëvizjes së lirë. /Telegrafi/