Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka kritikuar qasjen e Qeverisë në raport me menaxhimin e krizës që ka shkaktuar rritja e çmimeve.

Hoti përmes një shënimi në Facebook thotë se çmimet e produkteve bazike u rritën shumë herë më tepër se mesatarja.


“Çmimet në qershor 2022 u rritën mesatarisht 14% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Por, për produktet kryesore rritja ishte shumë më e madhe”, ka shkruar Hoti duke listur disa produkte

- Vajrat dhe yndyrat ushqimore (53,8%),

- Karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (67,3%),

- Gazi (39,3%),

- Buka dhe drithërat (27,7%),

- Qumështi, djathi dhe vezët (22,3%),

- Mishi (19,6%),

- Sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (19,0%),

- Prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë etj. (12,8%),

- Perimet (6,8%),

- Lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (33,6%)

Deputeti i LDK-së thotë se nëse do të hiqej akciza, sot qytetarët do të paguanin 1.39 euro për litër.

“Sot, 12 korrik 2022, çmimi i naftës është caktuar 1.75 euro për litër. Për çdo litër të naftës, qeveria mbledh 61 centë. Sikur Qeveria të pezullonte akcizën në naftë, sot çmimi i naftës do të bëhej 1.39 euro për liter”.

“Qeveria nuk ka marrë asnjë veprim për të zbutur ngarkesën për qytetarët.

Nuk është pezulluar akciza në naftë, nuk është shtuar lista e mallrave me TVSH prej 8%, nuk janë rritur pagat në sektorin publik, nuk janë indeksuar pensionet dhe ndihma sociale”, ka shkruar tutje Hoti./Telegrafi/

dulla