Nga: Emma Brockes / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Ceremonia e çmimeve Oscar, të dielën mbrëma, ishte e gjatë dhe e mërzitshme, ashtu siç ka qenë prej disa vitesh, por këtë vit mangësitë e saj ishin më ndryshe. Rënia e ndikimit të Holivudit, që u vërejt muajin e kaluar me numrin e madh të të nominuarve amerikanë që u shfaqën në Londër për çmimet Bafta – diçka që nuk do ta kishin bërë në kohë më të mira – ia dha ceremonisë një ndjesi parëndësie dhe mungesë peshe, e cila, për të qenë të sinqertë, paraqiste një lehtësim nga pjesa tjetër e ciklit të lajmeve. Megjithatë, pyetja mbetet: pse aktorët dhe prezantuesit, në pjesën më të madhe – dhe, për fat të mirë, sipas mendimit tim – shmangën përmendjen e Donald Trumpit?
Pas zjarreve shkatërrimtare në Los Anxhelos, në janar, veprimi më i denjë që mund të bëhej këtë vit do të ishte anulimi ose të paktën një reduktimi drastik i ceremonisë së ndarjes së çmimeve Oscar, por sigurisht që askush i përfshirë nuk do të votonte për këtë. Në vend të kësaj, publikut iu ofrua një spektakël i zbehtë që vlerësonte filma me të ardhura të pakta në arkë, duke përfshirë Brutalistin [The Brutalist] ku Adrien Brody rikrijoi bumin e ndërtimit të pas-Luftës së Dytë Botërore në ShBA, dhe filmin Anora, një nga filmat me fitimet më të ulëta në histori që ka fituar çmimin për filmin më të mirë dhe që tregon historinë e një balerine ekzotike që martohet me një rus të pasur. (Çfarë mund të fshihet pas magjepsjes së thellë dhe të vazhdueshme të regjisorëve heteroseksualë – dhe romancierëve dhe podkasterëve – me “komunitetin e punonjëseve të seksit”? Po, pra, është altruizmi.)
Në vitin 2017, pas ngjitjes së parë të Trumpit në Presidencë, pati shumë fjalime të zjarrta nga podiumi i Oscar-ëve, duke përfshirë monologun hapës të Jimmy Kimmelit, i cili ishte i mbushur me referenca për Trumpin; pati mbrojtje të emigrantëve nga aktori Gael García Bernal; dhe ishte regjisori Barry Jenkins që u bënte thirrje atyre që kishin nevojë për ndihmë, që t’i drejtoheshin ACLU-së [American Civil Liberties Union/ Unioni Amerikan i Lirive Civile]. Ndërsa këtë vit, për dallim, pothuajse asgjë: një shaka e mirë nga prezantuesi Conan O’Brien në lidhje me Anora-n, ku ai u shpreh se amerikanët ishin “të emocionuar që më në fund panë dikë që i kundërvihet një rusi të fuqishëm”. Ishte aktorja Zoe Saldaña ajo që përmendi me qëllim prindërit e saj emigrantë. Dhe, kishte disa kritika ndaj qeverisë amerikane nga ekipi izraelito-palestinez që qëndronte pas realizimit Asnjë tokë tjetër [No Other Land] – fituesit të dokumentarit më të mirë.
Nëse është qyqarllëk, nuk është i llojit të zakonshëm. Në Oscar-ët e vitit 2017, ishte një shaka që përmendej për Meryl Streepin dhe Trumpin, bazuar në idenë atëherë të përhapur se Trumpi ishte një bedel që pati fatin të përfundojë në Shtëpinë e Bardhë. Ky ton nuk funksionon më sot. Në fakt, duke pasur parasysh situatën alarmante të politikës amerikane, ironia e shkujdesur për Trumpin duhet të jetë shumë më e matur sesa ç’e lejon platforma e gjerë dhe pa emocione e Oscar-ëve.
Është edhe çështja e rolit të Holivudit në rënien e votës për demokratët. Ndoshta është një mendim i përhantë, por mund të ketë pasur një rol – ose të paktën ndërgjegjësim për interesin vetjak – në vendimin e njëpasnjëshëm të aktorëve fitues të Oscar-ëve, të dielën, për të mos e përdorur podiumin për të dhënë mesazhe politike. Duke u kthyer prapa te fushata e Kamala Harrisit, e cila u mbështet shumë nga yjet e Holivudit, bindja se të famshmit ndikojnë që votuesit të ndryshojnë votat, apo të fitojnë zemrat e votuesve, nuk ka qenë kurrë më pak e pranueshme apo më e pasigurt. Disa nga të pranishmet në sallë, të dielën, mund të ishin duke u rikuperuar nga dështimi i Time’s Up (e mbani mend këtë?), një lëmsh prej një lëvizjeje ku gratë kryesore të Holivudit përdorën famën e tyre për një kauzë të admirueshme që, disi, përfundoi me Amy Schumerin duke kërkuar vëmendje në shkallët e Kapitolit.
Ndjej njëfarë keqardhjeje për figurat publike: të dënuar nëse veprojnë, të dënuar nëse nuk veprojnë. Pas mbrëmjes të së dielës, industria e filmit duket e nënshtruar dhe e dobët – nga ana tjetër, siç e tha në mënyrë të paharrueshme Ricky Gervais kur drejtoi ndarjen e çmimeve Golden Globes në vitin 2020: “Nuk jeni në pozitë për t’i mbajtur leksione publikut për asgjë. Shumica prej jush kanë kaluar më pak kohë në shkollë sesa Greta Thunberg”. Askush nuk ka nevojë për mendimet e Adrien Brodyt mbi ndonjë gjë jashtë aktrimit – dhe, edhe për atë, le ta themi hapur, kjo është e vështirë.
E, megjithatë, duke pasur parasysh gatishmërinë e zakonshme të aktorëve dhe regjisorëve për të përqafuar kauzat politike, heshtja e së dielës vetëm sa e ka shtuar ndjenjën e tronditjes dhe hutisë në ShBA: ku, saktësisht, është kundërshtimi? Pse nuk po reagon askush? (JD Vance dhe familja e tij u detyruan të zhvendosen në një vend sekret gjatë pushimeve me ski në Vermont, javën e kaluar, për shkak të numrit të madh të protestuesve që dolën kundër tij.)
Ndoshta gjithë ai Ozempic në sallë i kishte bërë njerëzit të ndiheshin më të lehtë dhe të turbullt. Ndoshta mungesa e politikës ishte planifikuar paraprakisht. Producentët thanë para ceremonisë se transmetimi televiziv do të përqendrohej te mënyra se si krijimi i filmave kërkon “bashkim dhe bashkëpunim”, diçka që tingëllon paksa si angazhimi i Jeff Bezosi për “liritë personale” në faqet editoriale të Washington Post-it. Ishte vetëm aktorja Daryl Hannah ajo e cila arriti të bëjë një shenjë V me gishta dhe të thotë “Slava Ukraini!” [Lavdi Ukrainës], për të marrë brohoritjet e turmës, për që nuk pati rezultatin që kërkoi.
Mësimi që mund të nxirret është se, në Holivud, si kudo tjetër, njerëzit janë të frikësuar – jo vetëm sepse Trump është hakmarrës, por edhe sepse pasiguria e madhe e botës në të cilën ndodhemi papritur mund ta bëjë heshtjen të duket gjë më e arsyeshme sesa fjalimet. Deri kur kjo heshtje shndërrohet në dorëzim – dhe nëse Holivudi, ashtu si industritë e teknologjisë dhe medias, do të na japë versionin e kohës sonë të Leni Riefenstahlit [regjisore naziste]- kjo mbetet për t’u parë. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Holivudi është po aq i frikësuar nga bota - sa ti dhe unë!

A janë të gjitha pikturat politike?

Vrasja e Luigj Gurakuqit nga kushëriri i tij, për interesat e Ahmet Zogut

Pse parapëlqehet kaq shumë në rrjetet sociale, shkrimtari i shekujve të kaluar?
Taksa osmane e xhizjes (kokës) - shembuj nga defteri i Gjakovës së vitit 1750

Thënie për nënën: Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Disa nga këngët e Unikkatilit me të vëllanë, i cili u gjet pa shenja jete në Prishtinë - kanë bashkë hite të pavdekshme

Bashkatdhetarët votuan me disa fletëvotime të zgjedhjeve të 2021-ës

A mund të sigurojë Evropa paqen në Ukrainë, pa SHBA-në?

Man Utd po shpreson ta rikthejë në ekip lojtarin të cilin e larguan para pesë viteve

Numërohen gjysma e votave të ardhura me postë, LVV e para në 8 komuna, pasojnë LDK dhe PDK

Kompania norvegjeze ndërpret furnzimin me karburant për forcat amerikane për shkak të politikës së SHBA-së ndaj Ukrainës