Historia e trazuar e Operës së Sidneit

Nga: Myles Burke / BBC Përkthimi: Telegrafi.com
Ndërtimi i Operës së Sidneit filloi më 2 mars 1959. Por, kur programi BBC Tonight vizitoi vendin e ndërtimit në vitin 1965, projekti ishte i trazuar nga problemet teknike, kostot që rriteshin vazhdimisht, opinioni i luhatshëm publik dhe grindjet politike.
Në vitin 1965, reporteri i BBC-së, Trevor Philpott, qëndroi pranë Gjirit të Sidneit ndërsa u përpoq të gjente metaforën e duhur për të përshkruar strukturat vibrante dhe harkore të çatisë së projektuar nga Jørn Utzon për Operën e qytetit australian. “Ishte një grup guaskash gjigante. Ishte një tufë pulëbardhash që hapnin krahët e betonit. Ishte një grumbull varkash me vela në tallaze prej betoni”, ka thënë Philpott. Dhe, më pas dha një vërejtje: “Dhe, ishte një ferr i vërtetë për ta ndërtuar”.
Saga e trazuar e ndërtimit të Operës së Sidneit filloi më 2 mars 1959, 66 vjet më parë. Gjashtë vjet më vonë, kur Trevor Philpotti i BBC-së shkoi të shihte progresin e ndërtesës, ajo ishte tashmë me vite prapa planit, e zhytur në vorbull shpenzimesh, modele që ndryshonin dhe tensione gjithnjë e më të ashpra politike. Nuk mund as të thuhej se kishte një lindje të vështirë.
Ideja për të ndërtuar një operë për qytetin, ishte propozuar në fund të viteve ‘40 të shekullit XX, nga dirigjenti i njohur anglez, Sir Eugene Goossens. Në atë kohë, Goossens ishte një figurë e famshme në botën e muzikës klasike, pasi kishte ndërtuar një karrierë të suksesshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe në ShBA. Pas Luftës së Dytë Botërore, ai u josh të vinte në Sidnei për të marrë postin e drejtorit të Konservatorit të Muzikës të Shtetit të Uellsit të Ri Jugor, me premtimin për një pagë më të lartë se ajo e kryeministrit australian, ka thënë më 2023 muzikologu Dr. Drew Crawford, për podcastin e BBC-së, Një skandal australian.
Krijimi i një salle të re të nivelit botëror, për performanca muzikore, ishte projekt i pasionit të dirigjentit. Ai kishte parë nga dritarja e zyrës së tij vendin të cilin e konsideronte të përkryer për këtë qëllim - depoja e tramvajeve në Benelong Point. I njohur si Tubougule nga populli indigjen gadigal i zonës Eora, ky ishte një vend ku për mijëra vjet ishin mbajtur ceremonitë aborigjene. Gjatë gjithë viteve ’50 të shekullit XX, Goossens loboi fuqishëm për të kthyer ëndrrën e tij në realitet. “Ishin të paktë njerëzit që mund të kishin atë vizion, ta artikulonin atë dhe të kishin vëmendjen e kryeministrit [të Uellsit të Ri Jugor], të kishin vëmendjen e kryeministrit të shtetit, të kishin mundësinë të flisnin me njerëzit për të nisur projektin”, ka thënë Dr. Crawford.
Goossens e bindi kryeministrin e Shtetit të Uellsit të Ri, Joseph Cahill, se një operë do ta ndryshonte mënyrën si bota e sheh Australinë; se ai kishte gjetur vendin ideal për të dhe se duhej të bënin “një konkurs të madh të hapur për arkitektë nga gjithë bota, për të vendosur se çfarë lloj ndërtese duhej ngritur atje”, tregoi Philpott. “Vendosën vetëm një kusht: që të mos ishte ndërtuar kurrë më parë diçka kaq e jashtëzakonshme”.
Vetë Goossensi nuk ia doli të shihte ëndrrën e tij të realizuar. Në vitin 1956, sapo kishte marrë titullin e kalorësit në Mbretërinë e Bashkuar, u ndalua kur hyri në Australi - pasi valixhet e tij u kontrolluan dhe gjetën, ndër të tjera, pornografi të kontrabanduar, fotografi komprometuese dhe maska prej gome. Skandali që pasoi - i cili përfshinte afera, erotikë dhe magji - ia shkatërroi plotësisht karrierën në Sidnei. Ai u largua nga vendi për në Romë, duke udhëtuar nën pseudonimin “zoti E. Gray” dhe nuk u kthye më kurrë.

Megjithatë, konkursi për projektin arkitekturor vazhdoi siç ishte planifikuar, me një juri që shqyrtoi rreth 233 propozime të dorëzuara. Në fillim të vitit 1957, qeveria shpalli si fitues një arkitekt danez pothuajse të panjohur, Jørn Utzon - një fitues i papritur. Një pjesë e kësaj habie vinte nga fakti se pjesëmarrja e Utzonit përbëhej kryesisht nga skicat preliminare dhe vizatimet konceptuale. “Sa i përket ndërtimit të ndonjë gjëje me përmasa të mëdha, ai në të vërtetë nuk kishte bërë shumë”, ka thënë në vitin 2018, për BBC, Sir Jack Zunz, i cili punoi në projekt për kompaninë inxhinierike Arup.
Zgjedhja e jurisë për projektin guximtar dhe imagjinativ të Utzonit nuk ishte pa polemika. “Që në fillim, ngjalli te njerëzit e Sidneit një përzierje të frymëzimit mahnitës dhe zemërimit përvëlues”, ka thënë Philpott. “E quajtën Përbindëshi i Gjirit të Sidneit, ëmbëlsirë daneze, një çadër cirku që po shpërbëhej”.
Kryeministri Cahill, i shqetësuar se projekti mund të pengohej nga opinioni negativ publik apo opozita politike, veproi që punimet të fillonin sa më shpejt. Kjo ndodhi pavarësisht faktit se Utzoni ende po finalizonte projektin e vërtetë të ndërtesës dhe nuk kishte zgjidhur ende çështjet kyçe strukturore. Edhe pse projekti i Utzonit mendohej se ishte një nga më të lirët, kishte ende vështirësi për të siguruar financimin, ndaj në vitin 1957 u lansua një lotari shtetërore për të ndihmuar në mbulimin e shpenzimeve të ndërtimit.
Vlerësimi fillestar për koston përfundimtare të Operës së Sidneit ishte 3.5 milionë paundë australianë ose shtatë milionë dollarë australianë - në atë kohë, monedhë zyrtare e Australisë ishte paundi, i cili u zëvendësua nga dollari në vitin 1966. Ndërtesa ishte planifikuar të hapej më 26 janar 1963: në Ditën e Australisë. Të dy këto parashikime do të rezultonin tejet optimiste dhe krejtësisht të pashpresa. “Që në fillim, ndërtesa u përball me telashe: njerëzore, mekanike dhe strukturore”, raportoi Philpott.
Ndërtimi i Operës u nda në tri faza të veçanta: ndërtimi i podiumit, guaskave të çatisë dhe pjesës së brendshme. Cahilli, pasi kishte bindur ministrin e Transportit të jepte miratimin për shembjen e depos së tramvajeve për të ndërtuar podiumin, “e kuptoi se vendi nuk ishte as mjaftueshëm i madh, as i fortë për të mbajtur atë strukturë që në letër dukej aq e lehtë sa të fluturonte”, ka thënë Philpott.
Për të mbajtur peshën e Operës, i gjithë vendi duhej zgjeruar dhe forcuar duke ngulur mbi 550 shtylla betoni të veshura me çelik, secila me diametër prej një metri, në tokën përreth Gjirit të Sidneit. Këto punime të gjera, të cilat nuk ishin llogaritur as në buxhetin e ndërtimit, as në afatin kohor, u zvarritën dhe u penguan edhe nga moti i keq. Podiumi përfundoi vetëm në janar të vitit 1963 - pikërisht në datën kur ndërtesa ishte planifikuar të hapej.
Por, kjo do të ishte e para nga vonesat e shumta të projektit dhe kostot marramendëse shtesë. Tipari më dallues i Operës së Sidneit - guaskat e çatisë që imitonin velat e një anijeje - do të sillte një sërë sfidash të tjera inxhinierike. Fillimisht, plani kishte qenë që çatia të ndërtohej prej çeliku të veshur me beton. Megjithatë, ai dizajn krijonte probleme të padëshirueshme akustike për çdo performancë që zhvillohej brenda. “Yjet e Operës do të këndonin mbi sirenat e rimorkiatorëve në ujërat e jashtme, dhe ndryshimet e temperaturës do ta bënin çelikun dhe betonin të gjëmonin e të çaheshin si bubullimë tropikale”, ka thënë tha Philpott.

Askush nuk e kishte kuptuar plotësisht shkallën e sfidës inxhinierike që paraqisnin sipërfaqet e harkuara të çatisë së Operës. Meqë pjesëmarrja e Utzonit në konkurs nuk përmbante plane të detajuara inxhinierike, firma Arup u angazhua për të punuar për ndërtimin e strukturës komplekse të guaskave. Por, pavarësisht përpjekjeve dhe ridizajnimeve të shumta, ata nuk arrinin që t’i përputhnin llogaritjet strukturore. “Gjëja e parë që bëri Arup-i kur u kërkua bashkëpunimi, ishte marrja e këtyre formave dhe zhvillimi i një sërë modelesh matematikore që, sa më afër të ishte e mundur, përputheshin me dizajnin e konkursit të Utzonit. Asnjë prej këtyre formave nuk dukej e mundshme për t’u ndërtuar”, tregoi Zunz për BBC.
Një tjetër problem ishte se, për shkak të formës së harkuar të çatisë, çdo armatesë betoni që e mbështeste do të ishte ndryshe nga tjetra. Kjo do të thoshte se, në vend që të përdorej një kallëp i vetëm për të hedhur të gjithë trarët mbështetës, çdo armatesë do të kërkonte një kallëp të veçantë - gjë që ishte jashtëzakonisht e kushtueshme.
Zgjidhja, do të pretendonte më vonë Utzon, iu shfaq teksa qëronte një portokall. Arkitekti kuptoi se të gjitha segmentet e çatisë mund të përfitoheshin nga gjeometria e një sfere të vetme. Duke identifikuar pjesën e sferës që i përshtatej më së miri formave që nevojiteshin, mund të priteshin një sërë trekëndëshash me një anë të harkuar, për të krijuar varietete të guaskave. Këto segmente sferike mund të ndaheshin në komponentë individualë, të cilët mund të prodhoheshin në mënyrë të njëtrajtshme me beton të parapërgatitur dhe të montoheshin në vend. “U kthye një javë më vonë dhe tha: ‘E zgjidha’. Dhe, e realizoi skemën nga një sferë”, tha Zunzi nga Arup-i. “Por, duke bërë këtë, ai kishte ndryshuar arkitekturën në mënyrë mjaft rrënjësore”.
Kjo zgjidhje elegante e thjeshtoi ndërtimin e çatisë dhe uli sasinë e mbetjeve, duke bërë të mundur fillimin e punimeve për strukturën e saj të harkuar në vitin 1963. Por, ndërsa kontraktorët përpiqeshin të realizonin vizionin e Utzonit, projekti u pengua nga greva të vazhdueshme, ndryshime dizajni dhe rritje të kostove të materialeve, gjë që çoi në fryrjen e buxhetit dhe zhdukjen e një afati real për përfundim. “Deri në vitin 1962, kostoja ishte rritur në 12.5 milionë paundë australianë dhe tani të gjithë pranonin se vetëm po hamendësonin”, ka thënë Philpott. “Dita e hapjes u shty dhe u shty sërish. Ishte planifikuar për Ditën e Australisë më 1963, u shty për në fillim të vitit 1964, pastaj për dikur në vitin 1966, dhe tani askush nuk ishte aq i guximshëm sa të parashikonte vitin kur do të hapeshin përfundimisht dyert”.
Mbështetësi më i madh politik i projektit, kryeministri Cahill, u sëmur vetëm pak muaj pasi nisën punimet në ndërtim. Në shtratin e vdekjes në vitin 1959, ai i kërkoi ministrit të Punëve Publike, Norman Ryan, që të premtonte se nuk do ta linte projektin e Operës të dështonte. Ryan, kur u intervistua nga Philpott i BBC-së në vitin 1965, bëri një mbrojtje energjike të projektit, por deri atëherë, kudo ndihej zhgënjimi për kostot në rritje dhe vonesat pa fund. “Nuk isha i sigurt nëse duhej ta pranoja që po punoja aty në atë kohë”, pranoi Zunz. “Po të hyje në një taksi, dëgjoje plot ankesa për gjithë paratë që po shpenzoheshin kot, dhe Zot e di për çfarë tjetër”.
Duke shtuar edhe më tej atmosferën e tensionuar, disa muaj pas intervistës së Ryanit për BBC-në, Robert Askin - një kundërshtar i zëshëm i projektit - u zgjodh kryeministër i Shtetit të Uellsit të Ri Jugor. Ai emëroi Davis Hughesin si ministër të ri për Punët Publike, i cili hyri në përplasje të përsëritura me Utzonin. I vendosur të frenonte shpenzimet, Hughes filloi të vinte në dyshim kostot dhe afatet e arkitektit, duke kërkuar një set të plotë planesh pune për pjesët e brendshme - fazën e ardhshme e projektit. “E gjithë situata nisi të përkeqësohej”, ka thënë Zunz. “Utzoni nuk mundi, nuk deshi, sido që të jetë ... nuk i prodhoi dokumentet që klienti i tij kërkonte”. Në shenjë hakmarrjeje, Hughes refuzoi pagesat që kërkonte ekipi i ndërtimit, çka e la Utzonin të paaftë për të paguar stafin. Në vitin 1966, arkitekti danez dha dorëheqjen nga projekti dhe u largua nga Australia, pa e parë kurrë të përfunduar objektin e tij.
Dorëheqja e Utzonit shkaktoi zemërim publik: më 3 mars 1966, një mijë njerëz dolën në rrugët e Sidneit duke kërkuar që ai të rikthehej në projekt. Në vend të kësaj, Hughes emëroi një panel të ri arkitektësh australianë, për të përfunduar ambientet e brendshme dhe muret prej xhami. Por, nëse Hughes kishte shpresuar se kjo do të ulte kostot dhe do të përshpejtonte punimet, ai ishte shumë i gabuar.
Ekipi i ri hodhi poshtë shumicën e planeve të Utzonit për brendësinë dhe e ridizajnoi atë në mënyrë rrënjësore. Utzoni e kishte konceptuar sallën kryesore si një hapësirë me dy funksione - për opera dhe për koncerte - por, kjo tashmë konsiderohej si e pazbatueshme, çka çoi në rrëzimin e të gjithë mekanizmave të skenës që ishin instaluar më parë. Dizajni i ri nënkuptonte gjithashtu që secila nga qindra copat e xhamit në muret e brendshme të kishte madhësi dhe formë të ndryshme, gjë që shtonte më tej kostot. Fatura e Operës së Sidneit u rrit edhe më shumë në vitin 1972, kur një konflikt sindikal për shkarkimin e një punëtori dhe kërkesat për rritje page përfunduan me një grevë në kantierin e ndërtimit.
Por, një vit më vonë, sipërmarrja monumentale, që ishte ndërtimi i Operës së Sidneit, më në fund u përfundua. Me dhjetë vjet vonesë dhe 14 herë mbi buxhetin fillestar, ajo kushtoi gjithsej 102 milionë dollarë australianë (ose 51 milionë paundë britanikë).
Ajo u inaugurua zyrtarisht nga Mbretëresha Elizabeta II, më 20 tetor 1973. Monarkja vlerësoi ndërtesën mahnitëse që “ka mbërthyer imagjinatën e botës”, ndërsa shtoi me një ton ironik: “E kuptoj që ndërtimi i saj nuk ka qenë krejtësisht pa probleme”. Utzoni nuk mori pjesë në hapje; ai i shkroi kryeministrit Askin se nuk mund të “shihte asgjë pozitive” në punën e brendshme të bërë nga arkitektët australianë dhe se nuk do të mund të shmangte “deklaratat shumë negative”.
Arkitekti danez përfundimisht bëri paqe me projektin dhe u përfshi sërish në vitin 1999, kur pranoi të punonte për një rinovim të brendshëm me vlerë 66 milionë dollarë australianë (33 milionë paundë britanikë). Në shtator 2004, Salla e Pritjes u riemërua “Salla Utzon” në nder të tij, pasi u ridizajnua nga vetë ai.
Në vitet që kanë kaluar që nga përfundimi, vlerësimi për arkitekturën vizionare të Operës së Sidneit është rritur vazhdimisht. Forma e saj skulpturore, aq e veçantë, e ka bërë një nga ndërtesat më të njohura në botë. Më shumë se 10.9 milionë njerëz e vizitojnë çdo vit dhe ajo është shndërruar në simbol të identitetit kombëtar australian - çatia e saj madhështore, një dëshmi e kreativitetit, kulturës dhe ambicies përballë pengesave që dikur dukeshin të pakalueshme.
Si një hapësirë performuese, ajo ka mirëpritur emra të mëdhenj si Bob Dylan, Ella Fitzgerald dhe Sammy Davis Jr., deri te The Cure, Björk dhe Massive Attack. Në vitin 1980, Arnold Schwarzenegger fitoi aty titullin e tij të fundit në bodibilding dhe, dhjetë vjet më vonë, lideri kundër aparteidit, Nelson Mandela, mbajti një nga fjalimet e tij të para të rëndësishme pas lirimit nga burgu. Në vitin 2004, Cathy Freeman - atletja e parë aborigjene që fitoi një medalje të artë olimpike në garë individuale - hapi stafetën e pishtarit olimpik jashtë ndërtesës. Çatia e saj mbresëlënëse ndriçohet çdo vit si pjesë e festivalit Vivid Sydney - festivalit të dritës, muzikës dhe ideve, ndërsa në vitin 2017, tregimet të Australisë indigjene u projektuan mbi të në formën e animacioneve plot ngjyra.
Në vitin 2007, ndërtesa që u realizua nga një kombinim i artit, inxhinierisë dhe këmbënguljes së jashtëzakonshme, u pranua zyrtarisht në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s. Gjatë rekomandimit për këtë përfshirje, Këshilli Ndërkombëtar për Monumentet dhe Vendet deklaroi:
“Opera e Sidneit qëndron e vetme si një nga kryeveprat e padiskutueshme të krijimtarisë njerëzore, jo vetëm e shekullit XX, por e të gjithë historisë së njerëzimit”. /Telegrafi/













































