HISTORIA E NATËS

Poezi nga: Jorge Luis Borges
Përktheu: Anton Papleka
Sa kohë që kanë zgjatur breznitë e tyre,
Njerëzit e kanë sajuar natën.
Fillimisht ajo ishte verbëri dhe gjumë,
Gjemba që çjerrin këmbën e zbathur
Dhe frika nga ujqit.
Ne nuk do ta dimë kurrë kush e ka farkuar fjalën
Për intervalin e errësirës
Që ndan dy muzgjet;
Kurrë, ne nuk do të dimë në cilin shekull
U krijua hapësira midis yjve.
Të tjerë e kanë ngjizur mitin.
Nata u bë nëna e Parkave të qeta
Që thurin fatin dhe i bënin fli dele të zeza
Dhe gjelin që parashikon mbarimin e saj.
Kaldeanët i dhanë dymbëdhjetë shtëpi;
Botëra të pafundme, Portikun.
Atë e modeluan ca heksametra latinë
Dhe lemeria e Paskalit.
Luis de Leoni[*] pa tek ajo
Atdheun e shpirtit të tij drithërues.
Sot, ne e ndiejmë se ajo është e pashtershme,
Si një verë shumë e vjetër
Dhe askush nuk mund të soditë pa u trallisur.
Dhe koha e ka ngarkuar me përjetësi.
Dhe të mendosh se ajo nuk do të ekzistonte
Pa këto mjete të vogla, sytë.
____________________
[*] Luis de León (1528-1591), poet spanjoll, autor i poemës Natë e qetë.



















































