Sipërmarrësi shqiptar nga komuna e Drenasit i cili jeton dhe vepron në Itali, Qëndrim Thaçi ka prezantuar makinën e parë shqiptare Illyrian Pure Sport gjatë një ekspozite në Torino, TREDITECH.
Thaçi i cili njëherësh është themelues i Arrera Automobili kishte emigruar me familjen e tij në Itali dhe ka jetuar atje për 15 vjet, transmeton Telegrafi.
Ai kishte qenë gjithmonë adhurues i makinave që nga fëmijëria, por pavarësisht sfidave arriti që të prodhojë një makinë e cila tani pritet t’i bëjë konkurrencë edhe modeleve të njohura sikurse Lamborghini Aventador apo Ferrari 812 Superfast.
“Gjyshi më la amanet, që ta çojë këtë punë deri në fund”, pati thënë gjatë një interviste për mediet vendore.
“Nderin e kam mësu prej familjes time shqiptare, shqiptarët kanë nder shumë të madh. Ne punojmë shumë me nder. Për këtë arsye u ktheva në Kosovë, pasi që ne mund të bëjmë gjëra shumë të mira”.
Thaçi thotë se është i certifikuar në shkollën italiane për dizajne industriale e njohur si eAD, ndonëse më herët kishte qenë master i diplomuar për stomatologji. Ai ka qenë i përfshirë në projekte shumë të mëdha sikurse për brendet Ferrari dhe Lamborghini.
“Unë punoj bashkë me TREDITECH që prodhojnë makinat më të shpejta në botë”, ka pohuar ai.
Në vitin 2016 ai e kishte themeluar kompaninë Arrera e cila fillimisht ishte thjesht kompani jofitimprurëse, por që gjatë viteve e kishte bërë fitimprurëse.
Sipas Thaçit, makina Illyrian Sport Pure do të jetë në mesin e pesë automjeteve më të shpejta në botë në kuadër të modeleve të hipermakinave.
Çmimi i automjetit sportiv do të variojë nga 1.2 milionë euro deri në 1.7 milionë euro.
Supervetura e re Illyrian Pure Sport ka një motor 3.0 litërsh Twin Turbo me 950 kuaj/fuqi.
Shpejtësia maksimale pritet të arrijë në 375 kilometra në orë. /Telegrafi/