Hekuran Murati, ministri në detyrë i Financave, ka deklaruar se nga moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës, vendi rrezikon t’i humb 90 milionë euro hua pa kamatë, të alokuara nga Banka Botërore për Kosovën, të cilat sipas tij, po presin ratifikimin nga Kuvendi që nga maji 2024.

Ai me anë të dy statuseve në llogarinë e tij në Facebook, ka pretenduar se partitë opozitare gjatë legjislaturës së kaluar kishin refuzuar të votonin ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.


Por, cila është e vërteta e këtij pretendimi?

Hibrid.info ka gjetur se në fakt marrëveshja nuk u votua në Kuvend, në mungesë kuorumi.

Të dy këto postime ku ai ka përmendur mos votimin e opozitës për marrëveshjen në fjalë, i ka publikuar më 23 qershor (shih këtu dhe këtu).

Analiza:

Murati ka deklaruar se kjo marrëveshje pret ratifikimin në Kuvend, që nga maji i vitit të kaluar. Hibrid.info ka kontrolluar ueb-faqen e Kuvendit të Kosovës, për të gjetur informacione për seancat e këtij institucioni, në majin e vitit 2024 (shih këtu).

Seanca kur ishte shqyrtuar marrëveshja ishte mbajtur më 23 maj 2024. “Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim” nuk ishte paraparë në rendin e ditës së kësaj seance (shih këtu).

Por, nga procesverbali i kësaj seance kuptohet se shqyrtimi i këtij projekligji ishte vendosur të bëhet me shmangie nga afatet procedurale të parapara me Rregulloren e Kuvendit, që do të thotë se për votimin (për 77, kundër 11, abstenime 0) e kësaj marrëveshjeje ishte vendosur gjatë seancës (faqet 4 dhe 5 nga procesverbali shih këtu)

Në dokumentin e projektligjit, në nenin 2, paragrafi 3, shkruan se “Marrëveshja Financiare do të sigurojë përkrahje buxhetore për Republikën e Kosovës në vlerë prej nëntëdhjetë milionë e treqind mijë euro (90,300,000€) në formë të përkrahjes buxhetore. Sa i përket kushteve të financimit, kredia ka maturitet 12 vjet, me 6 vjet grejs periudhë. Kredia nuk ka interes apo tarifa tjera të shërbimit” (shih këtu).

Edhe nga faqet 15 dhe 16 të transkriptit të seancës, në bazë të deklarimeve të atëhershme të ministrit Murati dhe kryetarit të Komisionit për Buxhet, Armend Muja, kuptohet se bëhet fjalë për të njëjtën marrëveshje që ministri në detyrë i është referuar në postimet e tij të fundit. Të dy kanë përmendur se bëhet fjalë për 90 milionë euro me normë efektive 0%. (shih këtu).

Megjithatë, faqja e 17-të e transkriptit tregon se kjo marrëveshje nuk kishte kaluar për shkak të mungesës së kuorumit, ndonëse kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë këtij votimi kishte konstatuar se të pranishëm ishin 84 deputetë, por që një pjesë e tyre nuk kishin votuar (shih këtu). Për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare kërkohet vota pro e dy të tretave (80) të deputetëve të Kuvendit, që do të thotë se kuorumi i nevojshëm për votim është më shumë se 80 deputetë.

Në transkriptë mungojnë të dhënat për deputetët që kishin votuar.

Hibrid.info ka hulumtuar për të gjetur videon e kësaj seance plenare. Nga videoja e hasur në kanalin e agjencisë së lajmeve “KosovaPress” në Youtube, është gjetur se votimi i kësaj marrëveshjeje është bërë me ngritje dore (shih këtu). Pro kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Deputetët nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë marrë pjesë në votim.

Se nga kush u pamundësua kuorumi në këtë seancë, është e vështirë të kuptohet nga pamjet, por ajo që shihet nga transkripti, është se të gjitha marrëveshjet tjera ndëkombëtare të parapara në këtë seancë kishin marrë dritën e gjelbër nga deputetët, me përjashtim të kësaj marrëveshjeje. Këtë gjë e vërteton edhe ky raport i përgatitur atëherë nga televizioni “Klan Kosova” (shih këtu).

Një tjetër zhvillim që e hedh poshtë pretendimin e Muratit, është edhe takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurtit, njëherit liderit të LVV-së, bashkë me Memli Krasniqin, kryetarin e PDK-së, i zhvilluar dhjetë ditë para kësaj seance (13 maj).

Në këtë takim ishte diskutuar mundësia e bashkëpunimit për votimin e 13 marrëveshjeve ndërkombëtare (shih këtu dhe këtu), votimin e të cilave e kishte premtuar dy ditë më vonë (15 maj) Bedri Hamza, kandidat i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet 9 shkurtit (shih këtu).

Si votohen marrëveshjet ndërkombëtare?

Neni 10 i Ligji NR. 04/L-052 për Marrëveshjet Ndërkombëtare përcakton se: “1. Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje: 1.1. territori, paqja, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake; 1.2. të drejtat dhe liritë fundamentale; 1.3. anëtarësimi i Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare; 1.4. marrja e obligimeve financiare nga Republika e Kosovës.”

Tutje, në paragrafin 2, 3 dhe 4 të këtij ligji thuhet se: “2. Marrëveshjet ndërkombëtare të referuara në paragrafin 1. të këtij neni ratifikohen me ligj të votuar nga dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. 3. Marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës të referuara në paragrafin 1. të këtij neni i dorëzohen Kuvendit me iniciativë të vet ose pas propozimit nga Qeveria. 4. Marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, përveç atyre në paragrafin 1. të këtij neni, ratifikohen pas nënshkrimit nga Presidenti.”

Vlen të theksohet se, në legjislativin e kaluar nga partitë shqiptare LVV kishte 55 deputetë, PDK 18 deputetë, LDK 17 deputetë dhe AAK nëntë deputetë (shih këtu).

Përfundimi:

Deklarata e ministrit në detyrë Hekuran Murati, sipas së cilës partitë opozitare në legjislaturën e kaluar kishin refuzuar të votonin ratifikimin e marrëveshjes për 90 milionë euro hua pa kamatë nga Banka Botërore, nuk qëndron. Kjo pasi marrëveshja nuk u ratifikua për shkak të mungesës së kuorumit, e jo për shkak të votimit kundër nga partitë opozitare, nga të cilat vetëm LDK nuk mori pjesë në votim, ndërsa PDK dhe AAK votuan pro.

Në përputhje me kriteret e kategorizimit të deklaratave që lidhen me fakte objektive dhe të verifikueshme, deklarata Muratit hyn në kategorinë e vërtetësisë.

Bazuar në metodologjinë e kontrollit të deklaratave, e njëjta vlerësohet si “gjysmë e vërtetë”.

Arsyetimi:

Në kategorinë e vërtetësisë, vlerësohen ato deklarata që përmbajnë thënie që lidhen me fakte objektive, saktësia e të cilave mund të përcaktohet me anë të verifikimit objektiv. Deklaratat e trajtuara në këtë kategori marrin vlerësimin – deklaratë e pavërtetë, gjysmë e vërtetë, apo edhe deklaratë e vërtetë.