LAJMI I FUNDIT:

Heronjtë e Shkupit

Në Shkup, këtë vit është mbajtur një ligjëratë nga matematikani Valmir Krasniqi, që erdhi nga Prishtina. Gjatë ligjëratës, duke folur me studentët, ai foli edhe për gjendjen e rëndë në Kosovë duke thënë: “Sot më vështirë është të jetosh në Kosovë, se sa të fitosh çmimin Nobël”.

Çmimi Nobel të gjithë e dimë se është një çmim i cili i jepet një personi për një meritë, vlerë, sukses, sakrificë, e me një fjalë për një kualitet të caktuar për të cilën ekziston ana kuantitative. Do të thotë e ka vlerën dhe sasinë e caktuar. Por, ekziston meritë, vlerë, sukses, sakrificë që nuk do të kemi mundësi t’ia caktojmë kualitetin dhe kuantitetin, pasi ato tentojnë drejt pakufisë, që nënkupton se është diçka më shumë se çmimi Nobel. Do të thotë se ka të tillë që jetojnë edhe më vështirë se shqiptarët e Kosovës. Njëri ndër ta ishte edhe Adem Jashari.


Shqiptarët e Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë jetojnë në një vend ku askush nuk ia do të mirën shqiptarëve; prandaj vazhdimisht diskriminohen, rrihen, burgosen e ndonjëherë edhe vriten për asgjë. Të vetmit që nuk vuajnë nga shqiptarët janë politikanët. Janë pikërisht ata politikanë që asnjëherë nuk sulmohen nga sllavomaqedonasit pse janë shqiptarë, pasi sllavomaqedonasit nuk e kanë frikën nga këta politikanë. Shqiptarët e IRJM-së pa dallim moshe janë në një gjendje të rëndë, gjithmonë e gjithkund në IRJM. Ata diskriminohen nga mosha parashkollore e deri në moshën e pensionimit.

Pushteti sllavomaqedon ka frikë nga shqiptarët e Shkupit, të cilët dita-ditës po rriten e mbi të gjitha po vetëdijesohen. Për këtë nuk kanë frikë aspak nga boshnjakët, turqit, romët e të tjerët, pasi nuk kanë mundësi që këto pakica në Shkup të jenë shumicë. Për këtë shqiptarët e Shkupit gjithmonë janë caku i sulmeve sllavomaqedone. Pushteti sllavomaqedon për të parandaluar rritjen e përqindjes së shqiptarëve në Shkup, po sjellë vazhdimisht sllavomaqedon nga juglindja e IRJM-së me qëllim që të mbetet përqindja e sllavomaqedonve në Shkup ashtu siç ka qenë.

Reportazhi i qershorit i Radio Evropa e Lirë (në gjuhën maqedone) tregoi një juglindje të zbrazët, oborre të boshatisura, dyer të mbyllura dhe shumë shtëpi që ishin në shitje si rezultat i shpërnguljes së sllavomaqedonëve për në Shkup me qëllim që shqiptarët në Shkup mos të bëhen shumicë. Si rezultat i kësaj politike kolonialiste, mbi 147 vendbanime kanë mbetur pa banorë, ndërsa Shkupi është gati të bëhet qytet me një milion banorë, duke e ditur se është qytet i planifikuar për 300 mijë.

Në IRJM më shumë se 60 për qind e shqiptarëve janë të papunë. Janë një pjesë e madhe e popullit në atë shkallë të varfërisë, sa që i kanë sjellë në atë gjendje të thonë: më skllavëroni, vetëm të ushqehem. Këtyre shqiptarëve i është mundësuar vetëm një zgjedhje nga shteti: dalja jashtë IRJM-së me qëllim të deshqiptarizimit të qytetit të Shkupit. Por, shqiptarët i refuzojnë të gjitha këto oferta me idenë se shqiptarët e kanë vendin në Shkup, e Shkupi e ka vendin në Shqipëri.

Kjo rini e Shkupit, akoma mëson në shkolla me tri ndërrime, në shkolla me mbi 40 nxënës në klasa, në shkolla me kilometra larg, si dhe në shkolla dhe universitete pa kushte minimale për studim, si hapësirat e lira për studim, pastërtia, banjo, kompjuter, videoprojektor, laborator etj. Askujt nuk i besohet se studentët që studiojnë informatikën në Shkup nuk kanë kompjuter në universitet; e studentët e kimisë nuk kanë laborator në universitet. Akoma nuk ju besohet se profesorët bëjnë gjërat më ta pamoralshme në universitet. Kur edhe profesorët universitar janë pjesë e krimit më të madh në shoqëri, paramendojeni se në çfarë gjendje është shoqëria. Profesorët nuk kanë frikë nga krimi, pasi janë pjesë e pushtetit.

Studentët, pasi të studiojnë përkundër shumë problemeve jonormale për një shoqëri normale, atyre nuk i mbarojnë problemet me kaq. Rinia shqiptare e Shkupit, edhe pse diplomon me shumë mund ato përsëri nuk do të arrijnë të shprehin aftësitë e tyre, pasi mungojnë vendet e lira për punësim. Punësimet bëhen komplet në baza partiake, duke mos respektuar aspak diplomat. Para se të bëhen punësimet në baza partiake, ato së pari klasifikohen në bazë etnie.

Punësimi bëhet pasi një i ri do të duhet të shpërndajë me qindra fletushka dhe flamuj partiak. Nuk mbaron me kaq, se po ky i punësuar duhet që çdo katër vjet të nxjerr në votim tërë familjen e shoqërinë. Kjo përveçse është një “vetëvrasje” është edhe një “robërim”. Këto detyra nuk i japin partitë sllavomaqedone, por partitë shqiptare. Pra, shqiptarët përveç se janë të diskriminuar nga sllavomaqedonët, ata janë të diskriminuar edhe nga politikanët shqiptarë.

Gjithkush do të interesohet se çka bëjnë partitë opozitare dhe mediat në Shkup. Mediat dhe partitë opozitare janë bashkë me partinë në pushtet, duke e mbajtë njëra-tjetrën. Televizioni e mban partinë në pushtet, partia në pushtet që ka më shumë asete ka aftësi të mbajë edhe partinë në opozitë e edhe televizionin. Po çka mbanë partia opozitare, çfarë roli ka? Partia opozitare ka për detyrë të mban popullin të robëruar, të qetë, të ndërpres protestat, të ndalojë që partitë e reja të lindin, sipas parimit “qeveritarë hani sa të doni se popullin e kontrolloj unë”. Partia opozitare është një parti që vazhdimisht bën marrëveshje të fshehta me partin në pushtet në kurriz të popullit shqiptar. Për këtë në IRJM një parti shqiptare e re më vështirë e ka të marr primatin e opozitës sesa të fitojë partinë që është në pushtet.

Mediat më të mira për shqiptarët e IRJM-së janë thashethemet. Nëpërmjet tyre populli informohet më mirë, pasi mediat në IRJM nuk informojnë asgjë rreth asaj se çka ndodh në të vërtet me shqiptarët e IRJM-së. Shqiptarëve të Shkupit i cenohet liria e fjalës, liria e mendimit, duke e marrë parasysh se çdokush që nis ndonjë iniciative për të mirën e shqiptareve e që ua prish qetësinë politikanëve shqiptar, ai do të shantazhohet, do të sulmohet, do t’i thyhen zyrat e punës, veturat, e deri edhe në maltretimin ndaj anëtarëve të familjes, si dhe vetvrasjen e atij personi. Këto asnjëherë nuk i lajmërojnë mediat shqiptare në televizion.

Për këtë s’kemi çka të dëshmojmë më shumë se rasti i komandant Harun Aliut. Në IRJM vetëm pse kërkon barazim e të drejtave pa dallim etnie, këta të kërcënojnë, të sulmojnë e ndonjëherë të etiketojnë edhe si shërbëtorë të sllavëve me qëllim që para popullit të mos gëzojë respekt ai person. Por, populli shqiptar në Shkup e di se dallimi mes disa “komandantëve” të 2001-tës dhe Harun Aliut është se ky i fundit nuk e braktisi luftën, e hiq më pak Shkupin për t’u bërë ministër. Këta e braktisën luftën, i braktisën qëllimet e idealet për t’u bërë ministra. Rrugën e Harun Aliut po ndjek populli.

Shqiptarët i mbanë gjallë në këto troje dashuria ndaj kombit. Vetëm dashuria e tillë i jep kuptim jetës së shqiptarëve në Shkup. Shqiptarëve të Shkupit i japin shpresë statistikat që po dalin dita-ditës rreth së ardhmes së IRJM-së, e nuk i motivojnë fjalët boshe e pa vepra të politikanëve shqiptarë që vijnë në Shkup dhe na thonë se janë “gardian” të drejtave tona.