LAJMI I FUNDIT:

Helmut Kohli, burri që ‘u rrit’ prej ëndrrës për një Evropë të përbashkuar

Helmut Kohli, burri që ‘u rrit’ prej ëndrrës për një Evropë të përbashkuar

Pak pas mesditës së ditës së parë të një muaji të nxehtë për një pjesë të Evropës, por jo dhe për Strasburgun, një prej qyteteve simbol të një Evrope të përbashkuar, ‘gjigandit’ të një periudhe të vështirë post-luftë dhe arkitektit të “Ode to Joy”, Helmut Kohl, iu dha lamtumira e fundit nën një ceremoni madhështore në sallën e hijshme të Parlamentit Evropian nga liderët më të mëdhenj botërorë, ndërsa Angela Merkel dhe Emmanuel Macron drejtuan elegjitë.

Pasdite vonë, rreth orës 18:00, ndërsa mijëra gjermanë të zakonshëm ishin rreshtuar ndanë brigjeve të lumit Rin për t’i dhënë lamtumirën e fundit njeriut që do të mbahej mend mes tyre, ndër të tjera edhe për stilin atipik të malësorit gjerman, arkëmorti me trupin e Kohlit do të mbërrinte në vendlindjen e tij, në Speyer për të pushuar përgjithmonë pranë katedrales së qytetit.


Helmut Kohl, i cili vdiq në moshën 87-vjeçare, nuk ishte vetëm një nga kancelarët më jetëgjatë gjermanë të pasluftës dhe fitues katër herë i zgjedhjeve prej vitit 1982 deri në vitin 1998. Kohl ishte dhe mbeti shtetari më i dashur dhe më i afërt për gjermanët, pavarësisht se ata nën zë qeshnin me trikot e tij jo fort të pashme e të dala boje, aksentin e fortë lokal dhe zakonin për t’u shtruar shtetarëve të ndryshëm kurdo që ata e vizitonin pjatën e tij të preferuar; atë të ‘barkut të derrit’, duke e shndërruar këtë gjigand të madh edhe prej pamjes së tij fizike, në një njeri po aq dhe të jashtëzakonshëm, madje për Gjermaninë. Në vitin 1976, kur ky lloj politikani pak i çuditshëm dhe aspak kozmopolitan mbërriti në Bon si një lider i ri i CDU-së në Bundestag, as ai vetë nuk e kish menduar se shpejt ambiciet e tij për të hyrë në histori do të ishin pretendimet e një ‘evropiani’, i cili më shumë se kushdo tjetër do të kuptonte me largpamësi krijimin e “një Gjermanie evropiane dhe jo të një Evrope gjermane”. Për Helmut Kohl, duket se ngjarjet që Gjermania përjetoi në prag të rrënimit të komunizmit ishin ato që krijuan njeriun ‘tjetër’ brenda tij, më shumë sesa e kundërta.

Franz Josef Strauss, lideri tjetër bavarez, por kundërshtar i tij në bindje, po aq karizmatik, kontroversial, ‘i potershëm’ madje në bëmat e tij, thoshte se e kundërta ishte e vërtetë. Helmut Kohl nuk kish gjasa asfare të hynte në histori, duke deklaruar madje pak para zgjedhjeve të vitit 1976 se ai nuk ishte aspak i përshtatshëm për zyrën e kancelarit. “Ai është totalisht i paaftë”, pat deklaruar Shtraus në një konferencë në Munih. “Atij njeriu i mungon karakteri, kualifikimet intelektuale dhe politike po ashtu. Atij i mungon çdo gjë”. E kundërta në fakt rezultoi e vërtetë si dhe ndodh me politikanë të kësaj race. Kohl, i cili me shumë zhdërvjelltësi e ktheu përmbys imazhin e tij prej malësori të pagdhendur në një tjetër portret, në “njeriun e popullit” dhe arriti jo pas shumë betejash të korrte fitore të njëpasnjëshme pothuaj në të gjitha zgjedhjet që zhvilloheshin çdo katërvjeçar. “Jam nënvlerësuar për dekada të tëra – pëlqente të përsëriste ai çdo herë në bisedë. – Por ja ku ia dola shkëlqyer, pikërisht duke luftuar të jem kështu si jam, pa u ndryshuar aspak”.

Lindur në një prej rrethinave të qytetit të Ludwigshafen am Rhein, në pjesën jugore të Gjermanisë, Kohl ishte fëmija i tretë i një familjeje modeste të devotshme katolike. Helmut Josef Michael Kohl ishte i rritur mjaft të mbante mend jetën nën Gjermaninë e Hitlerit, por i ri shumë për t’ia mbathur prej një sulmi të papritur nazist, gjatë të cilit një vëlla i tij më i rritur humbi jetën.

Pas luftës ndoqi universitetin, i pari në familjen e tij, duke studiuar së pari juridik dhe më pas shkenca politike. Doktorata e tij ishte një temë mbi rindërtimin e partive politike të pasluftës në vendlindje, në Rhineland-Palatinate. Megjithëse punoi për një farë kohe në biznes, politika mbeti një prej pasioneve të tij. Në vitin 1946, kur ishte vetëm 16 vjeç, ai iu bashkua krahut rinor të CDU-së, një forcë politike e sapokrijuar në Gjermaninë e pasluftës.

I riu Kohl, i kaloi 20 vitet e karrierës më pas, mes korridoreve të politikës lokale kur papritur në vitin 1969 arrin të zgjidhet Kryeministër i landit të Rhineland-Palatinate. Ishte i pari kryeministër i zgjedhur në një moshë kaq të re për të qeverisur një land federal, por nuk u mjaftua me kaq. Punoi fort pas kësaj, për t’u kthyer në një faktor kombëtar si një reformator liberal brenda partisë së tij. Gjermani i bëshëm dhe lideri që po përgatitej të ishte më shumë karizmatik se ç’duhej, kishte ndërtuar tashmë “sistemin Kohl” të qeverisjes, duke dhënë mjaft favore në kushte të vështira politike për shumë nga ata që do të mbështesnin më pas në politikat e tij. Ishte pikërisht ky sistem që e ktheu atë në një makinë të pamposhtur faktorizimi politik, duke kërkuar mbi të gjitha një besnikëri të palëkundur. Vitet 1980 njohën situatë më të qetë për gjermano-perëndimorët.

Ata ishin qytetarët e pasur të një prej shteteve me të fuqishme në planin ekonomik në kontinent. Dhe si fillim, Kohl i shpërbleu bujarisht votuesit e tij duke ngushtuar papunësinë, shtuar përfitimet ndaj nënës dhe fëmijës së porsalindur dhe duke kthyer pensionin e parakohshëm si një opsion financiar atraktiv. Nga ana tjetër, ai nuk kishte frikë madje të ndërmerrte edhe vendime antipopullore, si p.sh. të dilte kundër një opozite, e cila nën frymën e idealizmit për një Gjermani pacifiste kundërshtonte vendosjen e raketave bërthamore të NATO-s në tokën gjermane. Kjo ishte një nga lëvizjet e para të guximshme që ai ndërmori në politikën e jashtme gjermane. Por sigurisht në këtë lëvizje ai nuk ishte i vetëm. Fransua Miterran, presidenti francez me të cilin Kohl pati një marrëdhënie speciale në zbatimin e platformës së ideologëve të “Ode to Joy”, me anë të një projekti franko-gjerman, ishte gjithëherët në krah të tij.

Kujtojmë këtu vitin 1984, kur të dy këta burra, më të fuqishmit e Evropës, i shtrënguan dorën njëri- tjetrit në Verdun, në tokën ku u zhvillua një prej betejave më të rrezikshme franko-gjermane, një veprim që fuqimisht konfirmoi pajtimin mes dy vendeve. Rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989 ishte ngjarja tjetër që bëri të shkëlqejë më shumë ylli i tij në karrierën politike. Helmut Kohl katapultohet në qendër të skenës politike botërore. Nuk ka asnjë dyshim se ai, si gjithë shumica e gjermanëve e priste me padurim rënien e regjimit komunist. Ndaj si një politikan i lindur, pak kohë më parë se muri të binte, ai pat bërë një lëvizje të diktuar kalorësiake. Ftoi me shumë përulje prej një shtetari të madh, Erich Honecker, liderin komunist të Gjermanisë Lindore në Bon. Kjo mbeti e para dhe e fundit vizitë e një shtetari të lartë të Gjermanisë Lindore në anën tjetër të Gjermanisë.

Dhe ylli kish ende shumë rrugë për të bërë drejt shkëlqimit të plotë. Në maj të 1990, pas një incidenti që kish ndodhur mes një homologu të tij në Lindje dhe të majtëve atje, Helmut Kohl nënshkroi shpejt e shpejt një marrëveshje me Gjermaninë Lindore, që çoi në përshpejtimin e bashkimit mes dy vendeve të një kombi të madh. Më 3 tetor Gjermania Lindore pushoi së ekzistuari. Pas afërsisht një dekade, perëndimi e kish kryer misionin e tij për të shpëtuar gjysmën e kontinentit prej bolshevizmit ateist. Evropa vërtet jetonte gjysmën e saj nën pengjet që la pas komunizmi, por misioni kish mbaruar me sukses. Në vitin 1998, mes një situate jo fort të kënaqshme ekonomike sidomos sa u përket shifrave të papunësisë, ylli i Kohl ndaloi së shkëlqyeri. Ai u mund rëndë në zgjedhjet e këtij viti nga socialdemokratët e Gerhard Schrëderit. Ndërsa një vit më vonë, ai u përfshi në një skandal të rëndë financiar brenda partisë së tij, duke u akuzuar se kish pranuar donacione anonime deri në 2 milionë marka gjermane, burimin e të cilave ai me kokëfortësinë e një titani refuzoi ta zbulonte.

Kohl në personalitetin e tij mbartte një besim thellësisht të patundur tek vetja, duke përbuzur me neveri detajin, një kombinim jo fort i pazakontë tek liderët e mëdhenj, por që mbetet gjithsesi tepër i rrezikshëm. Ai ishte një politikan – shkruajnë biografët – i cili e konsideronte veten të barabartë me princin e madh gjerman Otto von Bismarck, duke u kthyer madje në një ‘mbinjeri’. Në vitin 2000, ai dha dorëheqjen si lider i CDU-së. Pasuesja e tij, Angela Merkel, e zgjedhur tinëzisht shkruan shtypi i huaj në atë vend, sigurisht fillimisht prej tij, e shtyu Helmut Kohlin drejt një daljeje të menjëhershme publike, ku të paralajmëronte se CDU që këtej duhet të vazhdonte përpara pa u trembur, por pa “kalin e saj të betejës”. Një vit më vonë, gruaja e tij Hannelore, kreu vetëvrasje. Kohl, i cili kurrë nuk harroi apo fali qoftë edhe një injorim të vogël, u tërhoq nga politika duke jetuar një pension të mërzitshëm.

Helmut Kohl, virtuozi më i talentuar që ka njohur real-politika e vërtetë evropiane, do të dallohej prej të tjerëve për shqisën e tij të veçantë për të kombinuar realitetin me pasionin. Ai e përfundoi jetën, shkruajnë burime të afërta pranë tij, duke jetuar një botë pak a shumë si ajo që përshkruante Lewis Carroll në romanin e tij për fëmijë “Liza në botën e çudirave”. Gjigandi i madh dhe i mirë, Kohl, si do e mbajnë mend gjatë gjermanët e thjeshtë akuzonte vazhdimisht “vajzën e vogël të Lindjes”, Angela Merkelin, për fundin e keq të tij, për forcën e saj mbështetur tek parimet, rregullat dhe mënyrat teknike të zgjidhjes së problemeve apo dhe lidhjet e ngushta e tepër të afërta që kish vendosur ajo me liderët e tjerë të vendeve evropiane, të cilat Kohl i kish kuruar me aq kujdes. “Sie macht mein Evropa kaputt”, “ajo po e shkatërron Evropën time” ankohej vazhdimisht ai. Megjithëse njerëzit pranë tij u përpoqën shumë t’ia kuronin edhe njëherë figurën e brishtë që la pas skandali financiar në të cilin u përfshi me turp, historia mbeti po ajo si e Humpty Dumpty në historitë e çuditshme në ëndrrat e Lizës, ku asgjë nuk mund të ribëhej më prej fillimit.

Në trend

Më shumë
Treni në Japoni u nis me 17 minuta vonesë: Kur pasagjerët dëgjuan arsyen, askush nuk u zemërua

Treni në Japoni u nis me 17 minuta vonesë: Kur pasagjerët dëgjuan arsyen, askush nuk u zemërua

Azia
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
‘Hakmarrja’ e Izraelit ndaj Iranit - gjithçka që ndodhi në ditën kritike

‘Hakmarrja’ e Izraelit ndaj Iranit - gjithçka që ndodhi në ditën kritike

Botë
Barcelona po nënshkruan mega-kontratë, ajo do t'i sjellë klubit mbi një miliard euro

Barcelona po nënshkruan mega-kontratë, ajo do t'i sjellë klubit mbi një miliard euro

La Liga
Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Lajme
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Lajme
Kalo në kategori