LAJMI I FUNDIT:

Haskuka fton qytetarët e Prizrenit të bashkohen rreth ndryshimit

Haskuka fton qytetarët e Prizrenit të bashkohen rreth ndryshimit

Lëvizja Vetëvendosje në Prizren, ka mbajtur tubimin përmbyllës të fushatës për balotazh.

Para masës së tubuar në Palestrën e Sporteve, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka quajtur kandidatin për kryetar të kësaj komune, Mytaher Haskukën, njeri që i jep shpresë Prizrenit dhe të gjithë qytetarëve pa dallim gjinie, përkatësie kombëtare apo fetare.

Ndërkaq, deputeti Albin Kurti, ka bërë thirrje për dalje masive të dielën, që sipas tij, prizrenasit të zgjedhin njeriun e duhur, Mytaher Haskukën.


Kandidati i Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka, ka ftuar të gjithë qytetarët, pa dallim, që të bashkohen rreth ndryshimit, duke e parë këtë si të vetmen rrugë që e sjell ndryshimin.

Ai po ashtu tha se përderisa në njërën anë janë të korruptuarit, të shantazhuarit e frikacakët, në anën tjetër duhet të bëhen bashkë qytetarët pavarësisht përkatësive kombëtare e fetare apo dallimeve tjera.

Pjesë e këtij tubimi ishin edhe partneri i koalicionit, Nisma për Kosovën, ish zyrtarë të lartë e aktual të degës së LDK-së në Prizren, të cilët janë vënë në mbështetje të kandidatit të LVV-së, Mytaher Haskuka, i cili në garën e balotazhit me 19 nëntor, ka rivalë Shaqir Totajn e PDK-së.