Hasanpapaj: Mandati i dytë i Vjosa Osmanit varet nga vullneti i Albin Kurtit

Juristi Brdhyl Hasanpapaj ka komentuar mundësinë që presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, të jetë kandidate për një mandat të dytë, duke theksuar se procesi i zgjedhjes së presidentit është i lidhur ngushtë me vullnetin politik të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Në një deklaratë në emisionin Debat Plus, Hasanpapaj ka theksuar se ekzistojnë dy skenarë të mundshëm për vazhdimin e mandatit të Osmanit në krye të shtetit.
“Ka dy mënyra: ose Albin Kurti e propozon Vjosa Osmanin për presidente, ose, në të kundërtën, ajo automatikisht kalon në taborin e kundërshtimit politik, pasi presidentja Osmani e ka bërë të qartë dhe e ka shpallur vetë kandidaturën se dëshiron edhe një mandat të dytë,” ka deklaruar Hasanpapaj.
Sipas tij, nëse Osmani nuk arrin të sigurojë mbështetjen e kryeministrit dhe të partisë më të madhe në vend, kjo do të nënkuptonte se ajo nuk ka arritur ta bindë subjektin politik që, sipas Hasanpapajt, i ka “të gjitha kartat e nevojshme në dispozicion” për zgjedhjen e presidentit.
“Tash, nëse nuk arrin që t’i bindë, i bie që nuk ka arritur ta bindë partinë më të madhe. President zgjidhet vetëm ai që do Albin Kurti sot, askush tjetër. Nëse Kurti dëshiron me e zgjedh presidente Osmanin, e zgjedh; nëse nuk dëshiron, nuk bëhet,” ka shtuar ai.
Hasanpapaj ka theksuar se realiteti aktual politik në Kosovë e bën rolin e kryeministrit dhe shumicës parlamentare vendimtar në procesin e zgjedhjes së presidentit, duke lënë pak hapësirë për alternativa jashtë vullnetit të tyre.
- YouTube www.youtube.com















































