Bayern Munich ka regjistruar një tjetër fitore në Bundesliga, këtë herë në udhëtim te Hoffenheim, e vlefshme për xhiron e katërt.

Titullarë te vendasit ishin të tre shqiptarët Fisnik Asllani, Leon Avdullahu e Albian Hajdari, por që “Bavarezzët” i arkëtuan pikët e plota me një triumf 1-4.


Asllani kishte një mundësi shënimi pas vetëm 15 minutave lojë, megjithatë ishte i pafat duke goditur shtyllën.

Ishte Harry Kane që e zhbllokoi rezultatin pasi ishte harruar plotësisht nga mbrojtja vendase pas asistimit të Karl (44’).

Pas kësaj, Hajdari shkaktoi penallti me një prekje të topit me dorë, e nga pika e bardhë si zakonisht anglezi rezultoi të jetë i pagabueshëm për të dyfishuar epërsinë.

Kane e kompletoi më vonë het-trikun, sërish gol nga penalltia pasi këtë herë Olise u faullua brenda zonës (77’).

E tëra që bëri Hoffenheim ishte goli i nderit i shënuar nga Vladimir Coufal, goditja e të cilit u devijua dhe përfundoi brenda rrjetës (82’).

Në fund, Serge Gnabry me një gol të bukur e vulosi rezultatin përfundimtar 1-4 (90+9').

Bayern me këtë triumf shkon në kuotën e 12 pikëve ndërsa Hoffenheim renditet në pozitën e tetë me gjashtë sosh./Telegrafi/

telegrafi sport app