Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Zv. kryeministren për Reformë Juridike dhe njëherësh Ministre e Punëve të Jashtme e Republikës së Bullgarisë, Ekatarina Zaharieva.

Sipas komunikatës, kryediplomatja Haradinaj Stublla ka falënderuar Zaharievan për përkrahjen e vazhdueshme të Bullgarisë për të drejtën e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur pa viza në zonën Schengen.


Haradinaj – Stublla ka shtuar se “zvarritja e këtij procesi, tashmë ka kaluar çdo limit dhe është kthyer në padrejtësi”.

FOTO 2 5

Temë diskutimi në bashkëbisedim me Zaharieva, ka qenë edhe dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, për të cilin proces ministrja Haradinaj-Stublla ka theksuar se marrëveshja ndërmjet dy shteteve nuk mund të sjellë rezultate pa lidershipin amerikan.

“Shpreha bindjen që dialogu për marrëveshjen finale me Serbinë nuk do të sjellë rezultatet e pritshme pa lidershipin amerikan dhe se respektimi i integritetit territorial të Kosovës është parim i panegociueshëm”, është shprehur Haradinaj-Stublla. /Telegrafi/