Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas adresimit të kryeministrit Albin Kurti, ku ky i fundit ka mbrojtur ministren Rozeta Hajdari dhe ka akuzuar partitë opozitare që dikur ishin në pushtet.
Haradinaj, pëmes një postimi në Facebook, ka pyetur se çfarë kryeministri është ky [Kurti] “që e lufton sistemin e drejtësisë të shtetit të vet e i mbron ‘dosllarët’ e krimit!”.
“Ç’është ky njeri që e sulmon median e shtetit ku vet është kryeministër, veç pse ato ia zbulojnë hajnitë e miqtë matrapazë! Ky njeri që vjedhjen e bukës së popullit, mundohet ta mbulojë me ‘borën e parvjeme’!”, ka shkruar Haradinaj, transmeton Telegrafi.
“Çka duhet të ndodhë tjetër që ju që keni votë, që keni zë, që keni mendje e zemër dhe që e doni Kosovën, të bindeni se shkarkimi i këtij njeriu, sot është detyrë kombëtare!”, ka shkruar ai.
Ndryshe, kryeministri Kurti i ka dalë në mbrojtje ministres Rozeta Hajdari.
Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Kurti foli për arrestimin e dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe një afaristi, të dyshuar për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, tha Kurti.
Më tej ai ka thënë se “qeverisja jonë me ndërgjegje të pastër dhe punë të mira natyrisht se përbën ndryshim rrënjësor karshi qeverisjes 20 vjeçare tё Kosovёs. Si e tillë ajo domosdo prodhon si fituesit ashtu edhe humbësit e saj”.
“Përderisa fitues janë gjithë qytetarët e vendit (familjet përmes shtesave universale pёr fёmijё, nёnat lehona, përfituesit e ndihmave sociale, të rinjtë, studentët, punëtorët, pensionistёt, tё papunёt, bizneset e rregullta) humbësit janё tё paktё nё numёr, por jo pak tё organizuar”.
Kurti ka shtuar se “Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit. Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj”.
“Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar. Nё rastin mё tё mirё ata po pёrpiqen pёr tё ruajtur disi pasurinё e akumuluar me hajni e korrupsion, monopolet artificiale e tё dёmshme që i kanë bërë me krim e keqpёrdorim tё detyrёs zyrtare”, tha ai. /Telegrafi/