Haradinaj reagon për vdekjen tragjike të dy punëtorëve në Gjakovë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas lajmit për vdekjen tragjike të dy punëtorëve në një aksident në vendin e punës në Gjakovë, duke e cilësuar këtë si një ngjarje të rëndë për familjet dhe shoqërinë.
Përmes një postimi të shpërndarë në Facebook, Haradinaj ka bërë thirrje për rritje të sigurisë në ambientet e punës dhe për më shumë përgjegjësi nga ana e institucioneve shtetërore.
“I trishtë lajmi për ndarjen tragjike nga jeta të dy punëtorëve në vendin e punës në Gjakovë. Humbja e jetës në përpjekje për të siguruar bukën e gojës është një tragjedi e madhe për familjet, por edhe për gjithë shoqërinë tonë,” ka shkruar ai.
Ai u ka bërë thirrje ndërmarrësve kosovarë që të rrisin nivelin e sigurisë fizike për punëtorët në çdo vend pune, ndërsa institucionet i ka ftuar të veprojnë me seriozitet.
“Për organet shtetërore, ky rast duhet të shërbejë si alarm për të rritur përgjegjësinë institucionale dhe për të garantuar zbatimin e plotë të ligjeve që mbrojnë punëtorin.”
Në fund, Haradinaj shprehu ngushëllime për familjet dhe kolegët e viktimave:
“Ndaj dhimbjen me familjet e viktimave, me kolegët e tyre dhe me gjithë qytetarët e Gjakovës.”



















































