Telegrafi: Cila janë të arriturat dhe mangësitë të cilat e kanë karakterizuar Kosovën në vitin që po e lëmë pas?

Haradinaj: Mendoj se ky vit është përmbyllur mirë, sepse zgjedhjet në të cilat kemi kaluar në këtë vit kanë qenë të lira dhe të ndershme. Qytetarët e Kosovës dhe partnerët e saj ndërkombëtarë e kanë fituar besimin se Kosova është e gatshme për të ecur më tutje në avancimin e demokracisë dhe në përtëritjen e institucioneve të vendit, me njerëz të rinj.


Republika e Kosovës, gjatë këtij viti, është përballur me shumë sfida: në rend dhe ligj, në ekonomi, në normalizimin e situatës në veri të vendit etj. Konsideroj se, përgjithësisht, ky vit nuk mund të konsiderohet si vit i sukseseve të mëdha për Kosovën. Ka suksese, ka fitore, mirëpo në përgjithësi viti 2013 ka qenë vit i sfidave dhe i vështirësive të mëdha. Mendoj, se viti që po vjen, 2014-ta do të jetë vit i zhvillimit të përgjithshëm shoqëror.

Telegrafi: A ka arritur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që të konsolidohet pas rezultateve jo të mira në zgjedhjet e 3 nëntorit?

Haradinaj: Si parti kemi bërë reflektim dhe analizë të rezultateve të arritura në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Është e vërtetë se AAK-ja në këto zgjedhje i ka humbur disa komuna të cilat i ka drejtuar për disa vite. Rezultatin e arritur nuk e konsiderojmë si fitore te Aleancës, ndërsa ajo që na bën të ndjehemi mirë është se procesi zgjedhor ka qenë një proces i rregullt. Fakti se 15 për qind e trupit votues votën e tyre ia kanë besuar AAK-së, është obligim politik për ne.

Telegrafi: A pajtohet AAK-ja që komuniteteve pakicë t’ju ndahen ulëse të rezervuara në Kuvendin e Kosovës?

Haradinaj: Mandatet e dhëna për pakicat të cilat burojnë nga Pakoja e Ahtisaarit, përmbyllen tani. Komunitet pakicë kërkojnë që numri i ulëseve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës të shtohet edhe për dy mandate, ndërsa unë dhe AAK-ja e kemi lënë të hapur mundësinë që pakicat ta marrin edhe një mandat, si opsion real dhe i përshtatshëm.

Meqenëse, jemi në prag të përmbylljes së integrimit të veriut të Kosovës, do të na duhet një hapësirë për përfaqësuesit serbë të veriut në Parlamentin e Kosovës, por, e cila nuk nënkupton që pakicave tjera t’ju mungohet hapësira, për shkak se ata kanë qenë konstruktivë nëpër proceset të cilat ka kaluar vendi.

AAK-ja veprimet e saj i bazon në mbrojtjen e interesave nacionale. Ne jemi afër me përmbyllë integrimin e veriut dhe nuk dëshirojmë që ta pengojmë një zhvillim më të dobishëm për vendin. Në rast se spektri politik ose partitë e caktuara politike na japin një zgjidhje për integrimin e veriut, ne do t’ju bashkohemi, mirëpo nëse ato këtë temë e shfrytëzojnë për te fituar vota duke mos e ndihmuar integrimin e veriut, votuesit do t’i ndëshkojnë këto parti.

Telegrafi: Si e vlerësoni zhgënjimin e Qeverisë së Kosovës me Bashkimin Evropian. Kush është fajtor në këtë mes?

Haradinaj: Ne duhet ta parashtrojmë një pyetje: a është më e mërzitur Prishtina zyrtare me Bashkimin Evropian apo qytetarët e Kosovës me ekzekutivin e vendit? Unë mendoj se qytetarët e Kosovës janë më të zhgënjyer me performancën e Qeverisë së Kosovës, sesa qeveria e Kosovës me BE-në. Zhgënjimi i qytetarëve të Kosovës me ekzekutivin e vendit vërehet edhe te partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. Nuk mund të kemi një vlerësim pozitiv nëse qeveria e Kosovës ka qenë e suksesshme vetëm në një segment, siç është rasti i dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve.

Qeveria e Kosovës agjendën e saj evropiane e ka bazuar vetëm në konstruktivitetin e saj në dialogun me Serbinë, duke mos krijuar një qeverisje kualitative në vend. Mungesa e qeverisjes kualitative është kriter për liberalizimin e vizave, për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe proceset tjera integruese. Qytetarët e Kosovës jo vetëm që nuk janë të lirë të lëvizin lirshëm, por edhe të penguar që ta zhvillojnë jetën normale. Ata nuk mund t’i vizitojnë familjarët e tyre që i kanë nëpër vendet e BE-së, e as t’i zgjidhin problemet urgjente p.sh. sëmundjet!

Telegrafi: Ju keni deklaruar se e synoni pozitën e Kryeministrit te Kosovës dhe ofertën tuaj para qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme nacionale do ta prezantoni prej kësaj cilësie. A mendoni se numrat në legjislativin e vendit do t’ju mundësojnë që të bëheni shef i Qeverisë dhe cilat janë partitë me të cilat ju nuk do të bashkëpunonit në asnjë opsion?

Haradinaj: Në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit kemi fituar rreth 15 për qind të votave. Punojmë vazhdimisht për ta shtuar këtë përqindje. Ofrojmë bosht qeverisës rreth AAK-së dhe këtë ofertë iu kemi ofruar të gjithë atyre që e vlerësojnë dhe e përkrahin programin tonë qeverisës.

Presim një përkrahje më të madhe politike në zgjedhjet nacionale. Plani qeverisës i AAK-së është një plan i qëndrueshëm, me njerëz të cilët kanë integritet dhe janë me duar të pastra. Kosova duhet të kalkulojë realisht se çka duhet të bëjë në mënyrë që papunësia të ulet; çka duhet të bëjë që paga mesatare të jetë 1000 euro; dhe se në çfarë periudhe kohore do të zgjidheshin këto probleme. Kosova duhet t’i dëshmojë BE-së se i ka plotësuar standardet edhe kushtet e saj. Ne BE-në duhet ta bëjmë në Kosovë.

Ne nuk jemi refuzues ndaj subjekteve tjera politike, por kusht thelbësor e kemi se nuk do të bashkëpunojmë me njerëz te cilët rrezikojnë qeverisjen me duar të pastra, programin zhvillimor, modelin e qeverisjes qe e forcon rendin dhe ligjin, që e rrit zhvillimin ekonomik në Kosovë. Qëndrimet tona dihen.

Nuk kam ndonjë koment për deklaratat e nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, i cili ditë me parë ka theksuar se nuk do ta dëshironte partinë e tij në koalicion me AAK-në. Ne jemi një parti serioze në skenën politike, e konsoliduar, me përvojë. Qeveria jonë do të jetë qeveri me duar të pastra.

Telegrafi: A do të pranonte AAK-ja që të hynte në koalicion qeverisës në rast se pozita e kryeministrit nuk do t’ju takonte?

Haradinaj: Ne i bëjmë ofertë qytetarëve të Kosovës me politikat tona qeverisëse dhe me plan të qartë qeverisës. Ne nuk e kërkojmë pozitën e shefit të qeverisë sepse sjell me shumë privilegje sesa pozita e zëvendëskryeministrit, kryeparlamentarit apo presidentit të vendit. Ne synojmë që ta drejtojmë ekzekutivin kosovar, duke marrë mbi vete përgjegjësi qeverisëse, duke e bërë Kosovën një vend ku qytetari i saj do të jetonte mirë. Kryetari i qeverisë, për momentin, është pozita dhe detyra më e vështire në vend. Nuk e kemi shqyrtuar asnjëherë mundësinë që t’i ofrojmë dikujt ndihmë për të marrë përgjegjësitë e plota për ta drejtuar ekzekutivin e vendit.

Telegrafi: A duhet Kosova të shkojë në zgjedhjet nacionale pa përfundimin e reformës zgjedhore?

Haradinaj: Kosova ka nevojë për legjislacion zgjedhor solid dhe të qëndrueshëm. Nuk kemi vendosur asnjë kusht. Ne, në këtë proces, jemi së bashku me spektrin politik, dëshirojmë që legjislacioni zgjedhor të jetë i dakorduar nga të gjithë ata që marrin pjesë në zgjedhje. Reforma zgjedhore duhet t’ju përshtatet të gjitha partive politike, jo të jetë në favor të vetëm një partie. Kosova ka nevojë për zgjedhje dhe është shumë e rëndësishme që zgjedhjet të mbahen sa ma shpejt, për shkak se kemi një situatë qeverisëse e cila nuk është e mirë. Sipas meje, do të ishte mirë që zgjedhjet të mbahen sa ma shpejt. Do të ishte mirë që në afatin sa më të shkurtër kohor të mbahen ato, por ne nuk e caktojmë datën. /Telegrafi/