LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj për projekt-buxhetin e vitit 2024: Kjo është rritja më e vogël e buxhetit që nga çlirimi i vendit

Haradinaj për projekt-buxhetin e vitit 2024: Kjo është rritja më e vogël e buxhetit që nga çlirimi i vendit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar projekt-buxhetin për vitin 2024, të prezantuar nga kryeministri Albin Kurti në seancën e Kuvendit të enjten.

Haradinaj para deputetëve ka thënë se “rritja nominale prej vetëm 102 milionë euro praktikisht është zvogëlim real i buxhetit, kur marrim parasysh shkallën e inflacionit këtë vit dhe vitin që vjen”.

Ai tutje ka thënë se kjo është rritja më e vogël e buxhetit që nga çlirimi i vendit.


Buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 3.3 miliardë euro, Kurti: Buxhet i mbrojtjes dhe sigurisë
Lexo po ashtu Buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 3.3 miliardë euro, Kurti: Buxhet i mbrojtjes dhe sigurisë

“Rritja e vlerës së koeficientit të pagave nga 105 në 110 euro nuk është rritje e as harmonizim, por zvogëlim i pagave. Shqetësuese në veçanti është nënçmimi që iu bëhet disa kategorive si Policia e Kosovës, shëndetësia, drejtësia e të tjerë të dëmtuar nga Qeveria dhe nga mohimi i pagesës së shtesave për rrezikshmëri dhe punë shtesë të garantuara me ligjin në fuqi”, është shprehur kreu i AAK-së.

Haradinaj më tej ka folur edhe për investimet kapitale, për të cilat ka thënë se të shtuara për vetëm 48 milionë janë stagnim “kur marrim parasysh se 90 për qind e projekteve të parapara për realizim për vitin 2023 nuk janë realizuar por bartën në vitin buxhetor 2024”.

Ndryshe, kryeministri Kurti ka bërë të ditur se buxheti i shtetit për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

“Do të jetë buxhet i mbrojtjes dhe sigurisë ku kemi ndarë 370 milionë euro ose 22% më shumë sesa aktualisht. 153 milionë euro për ministrinë e Mbrojtjes dhe 216 milionë euro për MPB-në”, ka thënë ai. /Telegrafi/