Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj e ka quajtur mashtrues kryeministrin Albin Kurti, duke shtuar se “po ushqen zagarë për t’i fyer shqiptarët”.

Këto deklarime nga foltorja e kuvendit, ai i bëri pas deklarimit të Kurtit. Ai ka adresuar akuza të rënda ndaj mediave në Kosovë, ku tha se raportimet “financime me thasë parash janë kërcënim i drejtpërdrejt për integritetin e debatit publik”.


Haradinaj me mikrofon të ndalur është përplasur me anëtarë të kabinetit qeveritar e deputetë të shumicës parlamentare.



“Sot erdh mashtruesi para nesh me një mashtrim ideal. Dhe po ju tregojë se na mashtroi... Ju lutem, mashtrimi nuk është fyerje, ndodhi një mashtrim, në këtë foltore e po dua ta demaskojë këtë mashtrim mënyrës më të keqe të mundshme. E para, kolega që foli para meje këtu është qe sa vjet në pushtet, mban përgjegjësi për çmimet, mban përgjegjësi për vjedhjet që po na ndodhin në energji, për faturat që po na vijnë, ky edhe qeveria e tij dhe ju mbani përgjegjësi edhe nuk mund t’i ikni kësaj përgjegjësia në asnjë variant. As nuk mund të fshihni pas këtij ligji tavan, as asgjë, oligarkë tuaj kryeministër janë duke shitur dhe blerë energji dhe po ju shtohen kompanitë përditë e më shumë njerëzve të afërm të juaj. Duhet të ketë një korrektësi në këtë rast”, tha ai.

Ndërkaq, pas kësaj deklarate ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila replikonte me Haradinajn në mbrojtje të Kurtit.



Haradinaj tutje ka vazhduar duke thënë se Kurti “po shpenzon më së shumti pare duke ushqyer zagarë për t’i fyer shqiptarët”. Pas këtyre fjalëve, atij i është ndalur mikrofoni, raporton KP.

Me mikrofon të ndalur ai ka vazhduar përplasjen me anëtarë të kabinetit qeveritar, ku dëgjohet duke thënë se në “foltore nuk lejohet mashtrimi”.

“E dyta thotë ‘po financohen mediat me thasë’, dëgjoni çka po thotë ky, dëgjone mirë çfarë po thotë ‘po financohen mediat me thasë’. Ky shpenzon më së shumti pare duke ushqyer zagarë me i fy shqiptarët, me i fy shqiptarët...faqe të zagarëve, që vazhdon ta bëjë edhe sot dhe ata që po e mbrojnë janë qasi zagarë“, shtoi Haradinaj.

Derisa ai ka vazhduar fjalimin me mikrofon të mbyllur, Haxhiu tha se Haradinaj ka thyer rregulloren duke fyer.