Lideri i Aleancës së Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj pas takimit me presidenten Vjosa Osmani bëri të ditur se është nënshkruar dekreti për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe nga ky takim fillon edhe koha për shpalljen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë.

Ai tha para gazetarëve që është në diskrecion të presidentes shpallja e zgjedhjeve, ndërsa siç tha Haradinaj, partia që ai drejton thekson se 21 dhjetori do të ishte datë e duhur për zgjedhjet.


“Mendojmë se në këtë mënyrë do ta fitojmë një javë kohë vazhdimeve buxhetore që duhet të ndodhin, siç e dini buxheti i Kosovës mund të funksionojë edhe janar e shkurt, pra 1/12... Po ashtu edhe Qeveria e Kosovës në detyrë mund të marr vendime për të përmbushur disa detyrime buxhetore, si ndaj RTK-së apo ndaj palëve tjera.

Për me vazhdu zbatimi i buxhetit në mars, gjithsesi duhet një vazhdim nga parlamenti i ardhshëm i Kosovës dhe për këtë arsye një javë na konvenon...”, tha ai.

Tutje, lideri i AAK-së tha se nga pushteti është propozuar data 28 dhjetor për zgjedhje, por sipas tij, kjo periudhë është e çmuar për familjet, jo vetëm e pushimeve por edhe e bashkimit familjar.

“Është një arrogancë nga politika, një përbuzje deri në ofendim me i shpallë zgjedhjet më 28 dhjetor, në periudhën e pushimeve dimërore... që me vazhdu me numërime e rezultate edhe natën e Vitit të Ri”, tha ai.

Haradinaj theksoi se AAK është e gatshme për çfarëdo date për zgjedhjet dhe se do të garojë e vetme. /Telegrafi/