LAJMI I FUNDIT:

Hana, Ylli, për çdo ditë falin dritën dhe dashurinë e kësaj bote

Hana, Ylli, për çdo ditë falin dritën dhe dashurinë e kësaj bote
Abdirahim Idrizi

Abdirahim Idrizi
Poliklinika “Galaxy”
abdirahimidrizi@gmail.com

Si gjithë bota, ashtu edhe unë isha i detyruar në izolim të detyruar. Virusi Covid -19, më afroi më afër fëmijëve, mbesave dhe nipave. Këtë ndjenjë, këtë emocion pothuajse e kisha harruar. Tashmë edhe vetë përjetova nga afër këtë emocion. Por, pashë edhe një marrëdhënie të veçantë në mes një nëne të re, me dy fëmijët e saj të vegjël, Hanën 3 vjeç dhe Yllin 2 vjeç.

Dua ta përshkruaj këtë emocion që e përjetova gjatë izolimit, por edhe një emocion të një nëne të re, kujdesin ndaj fëmijëve të saj të vegjël, atë se çka është në gjendje të bëjë çka përjeton nga shtatzënia dhe lindja. Nuk është e rastit kur krahasohet nëna me hakun e Zotit. Kjo do të thotë se nënat dashurojnë, sakrifikojnë përtej asaj që duket.


Nga fejesa e Majlit dhe Behijes kaluan disa vite deri sa erdhi data 10 e muajit 10 të vitit 2010. Por edhe nga martesa e kaluar shumë vite, pas gjithë asaj pritje, me trauma dhe dhimbje, si prind kur shikoja afërsinë e tyre, isha i lumtur sepse dashuria e tyre sa vinte e shtohej. Ishte një ankth i përzier mes dëshirës dhe dashurisë të zjarrtë.

Lindja e Hanës ishte një mrekulli e Zotit, sepse pritja ishte shumë e gjatë. U gëzua gjithë familja. Gjatë gjithë kohës nga afër i kam përcjell nusen dhe Ismailin. Gjatë gjithë asaj kohe jam përpjekur, që atyre të mos u mungojë asgjë, i kam mbështetur pafund.

Nga afër shikoja pritjen e gjatë të lindjes, por pas lindjes së Hanës, shumë shpejt erdhi në jetë edhe Ylli. Kur lindën nuk kishin as fuqi, as njohuri, madje as nuk arrinin te e ëma e tyre, siç bëjnë katërkëmbëshit. Pasi u erdhi pak fuqia, kjo energji është një mekanizëm që rritet çdo moment. Për një kohë shumë të shkurtër filluan të zvarriten, mandej të kapen dhe të ngrihen në këmbë. Pavarësisht nga numri i madh i pengesave, herë pas here edhe të dhimbshme, që rrëzoheshin dhe ngriheshin, dëshira për të arritur qëllimin është një forcë, një energji për të ecur përpara. Ne lindim me vështirësi, rritemi në vështirësi, bëhemi pjesë e vështirësive.

Meshkujt, nuk arrijnë ta kuptojnë natyrën e një femre, nuk arrijnë të kuptojnë sakrificën që përjeton gjatë shtatzënisë dhe lindjes, por sakrifica e tyre për fëmijët vazhdon gjatë gjithë jetës. Pasi jeta ime ka qenë në lëvizje të vazhdueshme, lëvizjen time e ndali izolimi nga pandemia. Izolimi i detyruar ma ndali hovin e lëvizjes. Do të thotë, gjatë gjithë kësaj kohë, 24 orë isha në familje, afër Hanës dhe Yllit. Shikoja nga afër kujdesin, rritjen dhe sakrificën e një nëne për fëmijët e saj.

Kjo kohë ishte sfidë për mua të përjetoja nga afër dashurinë e fëmijëve që e kisha harruar, kisha harruar se sa e bukur është dhe se sa shumë më kishte munguar. Shikoja nga afër Behijen, shikoja atë dashuri, atë sakrificë, por edhe momentet shumë të vështira kur ajo gjente fuqinë dhe buzëqeshjen. Behija transformonte çdo gjë në art dhe në disponim, ngase, vetëm një nënë e përgatitur dhe e edukuar mund ta bëjë atë. Nëna për fëmijën është ushqim që i plotëson të gjitha gjërat: nëna i shërben për ta ushqyer kur është i uritur dhe për t’ia shuar etjen, për t’i treguar përralla dhe ngjarje për argëtim e për te fjetur më mirë e më qetë, por edhe për ta ngushëlluar kur qan ose kur ka frikë.

Nëna është aty për ta ndihmuar fëmijën të shërohet kur nuk është mirë me shëndet. Pas të gjitha sakrificave që bën një nënë, ajo transformohej në magji, në puthje e përkëdhelje. Hana dhe Ylli nuk dallonin dhe shpesh përjetonin momente kur zemëroheshin. Përcillja reagimin e Behijes e cila shpesh me një përqafim i qetësonte emocionet e fëmijëve. Ky përqafim i një nëne ishte frymëzim për kontrollin emocional, transformim për t’i menaxhuar emocionet e fëmijëve, që të jenë të lumtur dhe të dashur. Kjo sjellje e një nëne, kjo metodë ishte zhvillimi i një lidhje dashurie dhe sigurie midis fëmijëve.

Përqafimi ishte gjithçka, ishte dashuri, qetësi, krijonte afërsi dhe siguri në mes fëmijëve dhe me të tjerët në familje. Këtu është edhe e drejta e besimit dhe e dashurisë; të mos bëhesh pjesë e vështirësive. Atëherë kur ti do të përballesh me veten, do t’i mposhtësh çrregullimet e jashtme, do të arrish të shohësh përtej asaj që duket. Brendia jote është me plot energji, ajo të jep forcë të përballosh çdo pengesë që vjen nga jashtë. Kjo energji, aktivizohet për çdo ditë dhe e nxit fëmijën, për t’u zhvilluar dhe për t’u rritur.

Te të rriturit gjërat ndryshojnë, është ndryshe te çdo person. Qëllimi kryesor i të rriturve është të përshtatet dhe të gjejë qëllimin në jetë. Por, zbulimi, hulumtimi i njeriut është individual. Energjia për të ecur përpara është individuale, por energjia e freskët e shpirtit duhet të aktivizohet, të shumëzohet dhe të shpërndahet. Kundroja Behijen se si arrinte t’i shfrytëzonte të gjitha mundësitë që ia ka dhënë i madhi Zot, në veçanti dashurinë e pafund të një nëne ndaj fëmijëve, por edhe besimin e fortë që e ka trashëguar nga edukata, arsimimi dhe familja.

/Telegrafi/