Hamza dhe Peci bien dakord për asfaltimin e rrugës që lidh fshatrat Zhazhë me Vllahi, punimet fillojnë së shpejti

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza janë dakordësuar për realizimin e një projekti infrastrukturor.
Kryetari Peci ka njoftuar se ky projekt përfshin asfaltimin e rrugës që lidh fshatin Zhazhë të Komunës së Zveçanit me fshatin Vllahi të Komunës së Mitrovicës së Jugut, shkruan Telegrafi.
Siç ka thënë ai, projekti në fjalë synon të përmirësojë ndërlidhjen ndërmjet dy komunave, të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik lokal.
"Të dy kryetarët janë zotuar për bashkëpunim të ngushtë gjatë gjithë fazës së realizimit të punimeve, me qëllim të sigurimit të standardeve të larta të cilësisë dhe përfitimeve afatgjata për komunitetin”, ka thënë kryetari Peci.
Ai është shprehur se ky është një shembull i bashkëpunimit ndërkomunal në funksion të interesit të qytetarëve. /Telegrafi/












































