LAJMI I FUNDIT:

Hajt se 30 centë janë! S’janë miliona!

Hajt se 30 centë janë! S’janë miliona!

Sot, para hyrjes së ndërtesës sime, dikush nga KEDS-i kishe çmontuar të gjitha orët e rrymës (të cilat i kishin blerë banorët e kësaj lagje) dhe askush nuk ishte njoftuar për një gjë të tillë. Askush nga banorët nuk ishte njoftuar se rryma do të ndalej (pikërisht në kohën kur shumica e banorëve kthehen nga puna), përderisa KEDS bënte ndërrimin e këtyre orëve të rrymës. Askush nga banoret nuk është njoftuar se si punojnë ose çka është puna e këtyre orëve. Askush nuk ishte njoftuar se atë ditë do të ndërroheshin orët e rrymës.

“Malli” i paguar nga xhepi i qytetarëve tashmë kishe përfunduar në kontejner. E, bashkë me atë “mall” edhe djersa e tyre. Dhe, askush nuk kishe ngritur zërin në lidhje me këtë. Një gjë të tillë s’e kishin bërë as familjarët e mi.


Qytetarët ndihen aq të pafuqishëm sa që rryma e tyre shtrenjtohet dy herë për një afat kohor shumë të shkurtër dhe asgjë nuk ndodh, pos bisedave nëpër kafe. Me aq duket se përfundon brenga. Sepse, për 15 vite pas luftës ne ende kemi probleme me rrymën, ujin, nxehjen. D.m.th. kemi problem me gjërat elementare për jetë, e vazhdojmë të heshtim, thuajse jemi mysafirë në vendin tonë dhe thuajse ata të cilët janë krye të këtyre kompanive po na bëjnë favore që po punojnë aty, ndaj ne duhet të heshtim!

Javën e kaluar kisha shumë punë dhe më duhej interneti. Por, PTK me shërbimin e saj që ofron (TIK) kishin një defekt. Në botën tonë të digjitalizuar, sidomos në kohëve të fundit, është gati thuajse e pamundur që të punosh diçka pa ndihmën e internetit, andaj edhe unë punën që kisha për ta kryer nuk e bëja dot.

E mora në telefon shërbimin për konsumatorin. Pas shume thirrjeve që i bëra, u përgjigjen. Kjo nuk ishte hera e pare që ndodhte një gjë e tillë, kur në shtëpinë time interneti nuk punonte. Meqë ishte vonë, personi që bisedova më të më tha që nuk ka mundësi që një gjë e tillë të rregullohej.

Kaluan plot 24 orë dhe interneti ende nuk punonte. Nga dëshpërimi që kisha i mora në telefon edhe njëherë dhe kërkova qe në fund të muajit fatura ime të ishte 50 centë me pak, për arsyeje se me atë matematikën time të lodhur, aq më dilte çmimi sa unë duhet të paguaja për një ditë këtë shërbim. Ngaqë këtë shërbim nuk e shfrytëzova dot, mendova që me të drejtë kërkova një gjë të tillë.

Totalisht të habitur nga kërkesa ime, u krijua një konfuzitet në anën tjetër të telefonit dhe filluan transferet e linjës sime nga një departament në tjetrin.

Nuk është punë e 50 centëve, është punë principi, pastaj ne si popull shumë i varfër që jemi, duhet që t’i kushtojmë shumë kujdes edhe centëve.

Më ka rastisur të vizitoj disa vende nëpër botë, dhe askund nuk më ka ndodhur që në një dyqan të më thonë që nuk i kemi tre centë, dy centë ose një cent, për të kthyer “kusur”. Ndërsa, tek ne kjo më ndodh shumë shpesh. Pra, e gjithë bota punon me cent, kurse ne jo. Pse? Mos vallë jemi aq të pasur?

Po të marrim hipotetikisht rastin e Internetit, nëse PTK ofron këtë shërbim tek 100.000 konsumatorë dhe këta konsumatorë nuk kishin mundësi të përdornin shërbimin për të cilin kanë paguar dhe nuk kërkojnë që këto para t’i kthehen atyre, i bie që PTK vetëm brenda një ditë në buxhetin e saj ka grumbulluar hiç me pak se 50 mijë euro për një shërbim që nuk e ka ofruar. Andaj, mendoj që ne si konsumatorë të cilësdo kompani që jemi, duhet të vetëdijesohemi më shumë, dhe mos të paguajmë për gjëra të cilat nuk i shfrytëzojmë, kurse ato të cilat I shfrytëzojmë të jemi të përpiktë në pagesat tona, sepse kjo na jep me shumë të drejtë që të kërkojmë shërbime më cilësore

Në anën tjetër, disa nga kompanitë nuk posedojnë fare arka fiskale dhe mua me ka ndodhur kur në transportin publik kam kërkuar dëshmi për pagesën që e kamë bërë, përgjigja ka qenë: “Mu kanë harxhu biletat, hajt se 0.30 centë janë, s’janë miliona”.

Ajo që më brengos është se jemi shumë të varfër të sillemi sikur paraja nuk është problem për ne. Por, me kujtohet një thënie e gjyshit tim: ”Mos me kanë fukaraja, zengjini kurrë i pasur s’ish ba”!