Rektori i Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT), Edmond Hajrizi, ishte i ftuar në emisionin “Përballje” në Telegrafi, ku diskutoi me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu për sfidat dhe të ardhmen e arsimit në Kosovë, me theks të veçantë në përdorimin e inteligjencës artificiale (AI).

Hajrizi theksoi se UBT nuk është vetëm përdorues i AI-së, por një ndër zhvilluesit kryesorë në nivel ndërkombëtar. Ai deklaroi se aktualisht janë të zhvilluara rreth 15 aplikacione që përdorin AI, përfshirë sisteme për diagnostikimin e sëmundjeve nga zëri, parandalimin e zjarreve, automatizimin e strukturave dhe përkthimin e gegnishtes në anglisht.


“Ne nuk jemi duke e pritur vitin 2030, ne jemi duke e zhvilluar tashmë inteligjencën artificiale në mënyrë intensive. Dhe kjo ndodh në Kosovë. Kemi zhvilluar aplikacione që janë unike në botë, si profesori dhe studenti me bazë në AI, të cilët janë aktivë 24/7 dhe ndihmojnë në procesin e mësimdhënies, pa e zëvendësuar profesorin real”, tha ai.

Rektori nënvizoi se përdorimi i AI-së jo vetëm që rrit produktivitetin dhe kreativitetin human, por është i domosdoshëm për zhvillim dhe përparim në kohën moderne. Ai e cilësoi këtë teknologji si “një vegël më efektive, më e shpejtë, më analitike dhe më e mençur”.

UBT-ja, sipas Hajrizi, tashmë është renditur në mesin e 50 universiteteve më të mira në botë për inteligjencë artificiale dhe ka marrë çmime të rëndësishme globale.

Për më tepër, modeli i "qytetit të mençur" që ka ndërtuar UBT është duke u eksportuar në qendra të tjera ndërkombëtare, përfshirë Londrën, Vjenën dhe disa ishuj të vegjël që kërkojnë të krijojnë ekosisteme efikase me bazë teknologjike.

“Qëllimi im nuk është vetëm të ndërtoj diçka për UBT-në. Ëndrra ime është që modeli ynë të bartet në shkolla, qytete dhe institucione publike në gjithë Kosovën. Kemi studentë nga Harvard që kanë ardhur për të studiuar dhe publikuar për këtë model”, theksoi ai.

Në fund, Hajrizi shprehu besimin e tij se Kosova ka potencial të madh për të qenë udhëheqëse në teknologji dhe edukim, nëse krijohet një frymë pozitive dhe bashkëpunuese mes institucioneve./Telegrafi/