Emir Sahiti po largohet nga Hajduk Spliti dhe do të bëhet lojtar i ri i klubit të divizionit të dytë gjerman, HSV Hamburg.
Sipas mediumit kroat Index.hr, klubet kanë arritur marrëveshje mes tyre, dhe Sahiti pasdite do të fluturojë drejt Gjermanisë, ku do t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore dhe zyrtarisht do të kompletohet transferimi.
Mediumi kroat shton se Hajduku do të marrë kompensim prej 1.2 milionë euro për 25-vjeçarin nga Kosova, nga të cilat 20% i takojnë ish-klubit të tij, Rabotnicki nga Maqedonia e Veriut.
Kjo nuk është hera e parë që Hamburgu kërkon Sahitin. Gjermanët ofruan tre milionë euro dy vjet më parë, por ish-presidenti Luksha Jakobusic dhe ish-drejtori sportiv, Mindaugas Nikolicius kërkuan 4.5 milionë euro.
Në fund, nuk kishte asgjë dhe tani Hajduk Sliti do të duhet të pajtohet me afërsisht 960,000 euro – pas zbritjes së përqindjes që i takon ish-klubit.
Ndryshe, që nga kalimi te klubit kroat në vitin 2018, Sahiti ka luajtur 121 ndeshje për ekipin e parë, ka shënuar 18 dhe ka asistuar 16 gola, teksa ka fituar dy herë Kupën e Kroacisë. /Telegrafi/