Pas përfundimit të procesit të numërimit dhe verifikimit të votave në Mitrovicë të Jugut, janë gjetur 75 fletëvotime me probleme në numrin serik.

Lajmin e bëri të ditur Bajram Hajdari, kryetar i Komisionit Komunal Zgjedhor dhe menaxher i Qendrës Komunale të Numërimit.


“Sipas një verifikimi paraprak, janë 75 fletëvotime që i takojnë të dy kandidatëve dhe kanë të bëjnë me gabime teknike. Një pjesë e tyre është kopjuar në prani të Policisë dhe më pas dorëzuar, ndërsa tani çështja i takon organeve kompetente,” tha Hajdari.

Ai shtoi se nuk ka informacion për fletëvotime të pavulosura, por nëse janë vërejtur, ato janë vendosur në zarfin përkatës. Pas përfundimit të procesit, materialet zgjedhore po përgatiten për t’u dërguar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) në Fushë-Kosovë.

Nga ana tjetër, Ilir Gashi, anëtar i PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deklaroi se procesi ka defekte të shumta që shkelin rregulloren zgjedhore dhe sugjeroi që Mitrovica e Jugut duhet të shkojë në rivotim. “Pothuajse në të gjitha vendvotimet ka defekte që bien ndesh me rregulloren zgjedhore. Do të bëjmë një analizë dhe një komision hetimor për të verifikuar origjinalitetin e fletëvotimeve,” tha Gashi, duke shtuar se çështja duhet të kalojë edhe në duart e organeve të drejtësisë për të rikthyer besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.

Tre ditë pas përfundimit të garës zgjedhore, fletëvotimet me numra serikë të ndryshëm që u gjetën në disa kuti, ngritën pretendimet e PDK-së dhe partnerëve të saj për parregullsi. PDK ka pretenduar se disa fletëvotime që duhej të ishin në vendvotime të tjera janë gjetur në qendra të ndryshme votimi.

Nga ana tjetër, Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje në KQZ nuk dha deklarata për media.

Ditën e parë të numërimit, më 10 nëntor 2025, Prokuroria e Mitrovicës urdhëroi ndalimin e procesit për shkak të pretendimeve të para. Një ditë më vonë, KQZ publikoi një sqarim nga kompania CETIS, sipas të cilit problemi kishte të bënte me gabime teknike në shtypjen e fletëvotimeve. CETIS pranoi përgjegjësinë dhe theksoi se fletëvotimet përmbajnë elemente sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin e tyre.

Pas sqarimeve të KQZ-së, Prokuroria lëshoi urdhër për rifillimin e numërimit të votave. Megjithatë, përfaqësuesit e PDK-së kanë dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke kërkuar rivotim për Mitrovicën e Jugut.

Pas rifillimit të numërimit, komisionerët e partive kanë raportuar për parregullsi të reja gjatë numërimit të votave të balotazhit të mbajtur më 9 nëntor 2025 për kryetar të komunës.