Në një shkrim të gjatë dhe detajuar për zhvillimet e viteve të fundit mes Kosovë dhe Serbisë, ato në Mal të Zi, Bosnje e Maqedoni, e përditshmja britanike “The Guardian” shkruan se Ballkani mund të jetë kokëdhimbja e parë e vërtetë e politikave të jashtme të presidentit amerikan Donald Trump.
“Shenjat për tensione etnike janë në rritje përsëri në Kosovë, Serbi, Bosnje dhe Mal të Zi,” shkruan “The Guardian”.
“Serbët i qëndruan pranë atij [Trump-it] gjatë gjithë kohës!” thekson slogani në gjuhën angleze përfundi fotografisë gjigante të Donald Trump-it në një mur në veri të Mitrovicës, shkruan The Guardian.
Shumë në qytetin e Kosovës të dominuar nga serbët do të pajtoheshin. Në përgjithësi, serbët kanë qenë të kënaqur me fitoren e Trump-it në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, nëse për asgjë tjetër, për faktin se ai e mposhti bashkëshorten e nëmësisë së tyre nga vitet 1990-ta, Bill Clinton, i cili udhëhoqi fushatat e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në Bosnje dhe Kosovë, shkruan më tej kjo e përditshme.
Tash, Ballkani është përsëri duke u zhytur në krizë. Kufijtë janë duke u vënë në pikëpyetje, tensionet etnike janë duke u rritur, dhe propozimet për shkëmbimin e tokave janë duke u shqyrtuar si shpresa e fundit për të parandaluar rrëshqitjen prapa drejt dhunës.
Horrojeni Kinën dhe Lindjen e Mesme: ish-Jugosllavia mund të dalë të jetë kokë-dhimbja e parë e vërtetë e politikave të jashtme të Trump-it.
Muajin që shkoi, një mosmarrëveshje rreth një treni serb të mbuluar me sloganin “Kosova është Serbi” në shumë gjuhë të huaja i dërguar drejt Mitrovicës shkaktoi krizën më të keqe në disa vitet e fundit në rajon. Edhe pse treni u ndalë, anëtarët e NATO-s, Kroacia dhe Shqipëria kanë kërkuar që të rishikohet plani paqeruajtës i aleancës në Kosovë. E Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, ka thënë se ai bashkë më djemtë e tij janë të gatshëm që t’i kapin armët nëse serbët kërcënohen në Kosovë, shkruan “The Guardian”, përcjell Express.
Shumica e Kosovës është e dominuar nga shqiptarët etnikë, të cilët e përbëjnë 90% të popullsisë.
Pastaj vjen Bosnja, shkruan e përditshmja britanike, duke shtuar se ndarja mes dy copave federale – pjesa serbe dhe pjesa kroato-boshnjake – pas një lufte trevjeçare në vitet 1990-ta, nuk është shëruar kurrë siç duhet. Republika Serbe e Bosnjës rregullisht e kërcënon vendin me referendum për pavarësi, derisa disa serbë të Bosnjës kanë kërcënuar që t’i bojkotojnë institucionet e qeverisë qendrore për shkak të vendimit të Sarajevës për t’u ankuar ndaj vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e shfajësoi Serbinë për bashkëfajësi në gjenocid në luftën e viteve 1992-95.
Ndaras, e kemi Malin e Zi, i cili ishte subjekt i një trazire të jashtëzakonshme politike në fund të vitit të kaluar, në të cilin Qeveria vendase pohoi se institucionet ruse kishin tentuar që ta orkestronin një puç për ta rrëzuar qeverinë, në favor të opozitës.
Dhe, në fund, Maqedonia, e cila gjendet më në jug të ish republikës së Jugosllavisë, që po vuan ta formojë qeverinë e re pas një krize të zgjatur politike, në të cilën shqiptarët etnikë janë bërë tejet të pashtruar.
Maqedonia u vë në qendër të vëmendjes përsëri kur një kongresmen i afërt me Trump-in, sugjeroi se Maqedonia duhet të thyhet dhe të ndahet mes fqinjëve të vet, shkruan më tej The Guardian.
“Maqedonia nuk është shtet. Më vjen keq, nuk është shtet”, kishte thënë Dana Rohrabacher, i cili udhëheq Komitetin kongresial për Punë të Jashtme, si dhe vazhdimisht e ka mbrojtur presidentin rus, Vladimir Putin.