Kjo ide është prezantuar më herët nga disa shtete anëtare të BE-së, kurse Gruevski për herë të parë u prononcua rreth saj në Pragë, ku po qëndron për vizitë zyrtare.

“Republika e Maqedonisë e çmon lartë angazhimin e Republikës Çeke për fillim të shpejtë dhe pa kushte të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në BE sipas modelit për zhvillim paralel të negociatave për anëtarësim në BE dhe zhvillimit të negociatave për tejkalim të dallimeve bilaterale me një vend anëtar të BE-së”.


Gruevski me këtë rast ka falënderuar republikën çeke për angazhimin e saj për anëtarësim jo vetëm të Maqedonisë, por edhe të vendeve tjera të Ballkanit perëndimor në BE. “Republika e Maqedonisë e çmon edhe angazhimin e Republikës Çeke për integrim evropian të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ky angazhim është një shembull lidershipi”.

Krerët shtetëror të Republikës çeke kanë shprehur gatishmëri që të ndihmojnë integrimin e Maqedonisë jo vetëm në BE por edhe në NATO, duke theksuar se kjo do të ishte në interes të gjithë Ballkanit. /Telegrafi/