Greva e urisë, shkëndijë rezistence kundër politikës shoviniste serbe

Minatorët e “Trepçës” tetë ditë e tetë net qëndruan trimërisht në horizonte për realizimin e kërkesave të tyre, por u nxorën të tradhtuar, u fyen dhe u dënuan si kundërrevolucionarë.
Para një çerek shekulli, minatorët e “Trepçës” u vetëngujuan në horizontet e minierës për të filluar Grevën e madhe historike, që tronditi themelet e ish Jugosllavisë dhe pati jehonë të bujshme në opinionin ndërkombëtar. Greva e urisë ishte një thirrje e përgjithshme për të nisur një epokë historike për popullin shqiptar kundër padrejtësive që i bëheshin nga politika shoviniste serbe me qëllimin të krijimit të kushteve që edhe shqiptarët të shijonin të drejtat e barabarta si të gjitha kombet dhe kombësitë e Jugosllavisë së atëhershme. Nga horizontet minatorët ngritën zërin për të dëshmuar se nuk jetohet më nën prangat e Serbisë shoviniste, që pati hartuar memorandumin për të bërë ndryshimet e amendamenteve kushtetuese dhe Kosovës t’i merrej statusi i autonomisë i përcaktuar me kushtetutën e vitit 1974. Ky memorandum iu pat referuar Kosovës me pretekst se Kosova është çështje më jetike për popullin serb, se me ndryshimet që do të bëheshin Serbia do të fitonte, ndërsa Kosova nuk do të humbte asgjë.
Kjo gënjeshtër që mjerisht përkrahej nga një grup funksionarësh shqiptarë i irritoi aq shumë minatorët, të cilët vendosën të hyjnë në grevë urie me qëndrimin unik që të mos dalin të gjallë nga horizontet e nëntokës pa u realizuar kërkesat e tyre jo vetëm që të mbrohej, por edhe të avancohej autonomia. Ky zë tashmë i akorduar me kërkesat që dolën edhe nga tubimet e mëhershme të minatorëve në vitin 1988, si të tubimeve pas marshit historik të 17 nëntorit 1988 kur u nisën nga miniera për të udhëtuar këmbë deri në Prishtinë e që në mënyrë të furishme patën shpërthyer edhe kordonin e njësive speciale të policisë në fshatin Mazgit, rrugëtim ky që pati bërë që e gjithë Kosova të ishte në përkrahje të minatorëve. Pas minatorëve lumë njerëzish nga të gjitha qytetet dhe fshatrat niseshin për në kryeqendrën e Kosovës, për të defiluar pastaj tri ditë e tri net nëpër rrugët e Prishtinës.
Kushtetuta të mos suprimohej, por të avancohej
As kjo ngritje në këmbë e tërë popullatës së Kosovës as tubimi i 4 shkurtit, me ç’rast minatorët patën kundërshtuar haptazi ndryshimin e amendamenteve kushtetuese nuk arriti efektin e duhur që të mos curroheshin amendamentet kushtetuese, bëri që më 20 shkurt minatorët e ndërrimit të tretë të mos dalin nga horizontet të lidhin besën për të hyrë në grevë, të cilëve në mëngjes iu bashkëngjitën edhe minatorët e ndërrimit të parë dhe në mesditë para kohe të arrijnë edhe minatorët e ndërrimit të dytë. Pasi kishin lidh besën, ata kishin përpiluar edhe kërkesat e tyre që patën qëllimin për t’i dhënë fund politikës diskriminuese të Millosheviqit. Ata kërkuan që të mos preken parimet themelore të Kushtetutës së vitit 1974, të mbrohen institucionet e arsimit të Kosovës, të mos bëheshin diferencime dhe suprimime të shkollimit të lartë e superior të shqiptarëve, që për shkak të neglizhencës së tyre në mbrojtjen e parimeve kushtetuese të japin dorëheqje të parevokueshme nga funksionet e tyre disa liderë shqitarë të asaj kohe, që në mesin e minatorëve të vijnë Stipe Shuvar, Sllobodan Millosheviqi dhe përfaqësues të komiteteve qendrore të Serbisë e Vojvodinës, ku do të bisedohej që të ndërpritej politika diskriminuese ndaj shqiptarëve, që fati i shqiptarëve në Kosovë dhe nëpër viset e Jugosllavisë të shqyrtohej në Kombet e Bashkuara dhe krahas kërkesave tjera ata shprehen mllefin ndaj regjimit shovinist të Sllobodan Millosheviqit duke theksuar se do të qëndrojnë në korridoret e nëntokës dhe se nuk do të dalin të gjallë përderisa nuk u përmbushën kërkesat e tyre. Përkundër bisedave që zhvilluan disa bartës të funksioneve më të larta të Kosovës për t ‘i bindur minatorët që të dalin nga miniera dhe të bisedohet për këto çështje, minatorët shprehen këmbëngulësinë e tyre dhe nuk donin të dëgjonin për këshillat demagogjike të misionarëve që shpreheshin se nuk do të prekeshin parimet kushtetuese.
Qëndrimi i tyre në minierë nga dita në ditë përkeqësonte gjendjen e tyre fizike e shëndetësore. Për shkak të shqetësimit për dramën që zhvillohej në minierë, shumë njerëz tuboheshin përreth minierës me apelin që të mbrohet jeta e minatorëve, ndërsa në mbarë Kosovën kolektivet punonjëse, studentët e më vonë edhe nxënësit organizonin tubime në shenjë solidariteti me minatorët dhe në mbështetje të kërkesave të tyre. Shkrirësit madje kërcënonin se po qe se ndodh ndonjë e keqe tragjike në minierë edhe ata do të hidheshin në furrat e zjarrta të plumbit prej nga do të rridhte plumb e gjak, se jeta më pastaj nuk do të kishte kuptim për ta.
Të gjithë flisnin me një zë
Në minierë zëri i minatorëve ishte i qartë. Nuk dalim ngaminiera pa na u realizuar kërkesa thoshin Avdi Uka, Veli Osmani, Ferit Feka, Brahim Musliu, Xhevat Bistrica, Mursel Haziri… të gjithë flisnin me një zë, madje ditëve të fundit kur situata ishte dramatike pati minator që tha se po qe se vdes të varroset në minierë. Udhëheqja e Trepçës në krye me Aziz Abrashin, Burhan Kavajën, Beqir Maliqin, Mensur Fejzën e të tjerë, me dhembje në shpirt shprehnin shqetësimin për dramën që zhvillohej, përherë ishin në mesin e tyre dhe mundoheshin që t’u vinin në ndihmë. Ata krijuan edhe spitalin improvizues në sallën e tubimit të punëtorëve në “portal” para hyrjes së minierës, ku mjekët u jepnin ndihmën minatorëve me ilaçe e infuzione, por pjesa dërmuese e tyre sa këndelleshin menjëherë niseshin në minierë për t’iu bashkuar grevistëve.
Reporterët e mediave të shkruara dhe atyre televizive përshkruanin gjendjen dramatike. E gjithë Kosova i kishte sytë dhe mendjen kah grevistët, shqetësoheshin për fatin e tyre. Opinioni vendës dhe ndërkombëtar ishte mirë i informuar për dramën që zhvillohej, ndaj edhe arrinin apele që të shpëtohet jeta e tyre. Arrinin letra e telegrame në mbështetje të grevistëve bëheshin apele që të ndërmerrej diçka për shpëtuar jetën nga tragjedia që u kanosej. Artisti kosovar me famë botërore, Bekim Fekmiu, pati shkruar në letrën e tij se solidarizohej me dinjitetin e tyre heroik e mbinjerëzor, por duke përjetuar rëndë lajmin mbi gjendjen fizike dhe psikike, u bënte lutje me tërë qenien e tij që të ndërpresin grevën e t’u kthehen nënave, etërve, fëmijëve e dashamirëve të tyre, sepse i presin me aq mall, sepse ju, siç thoshte ai, jeni jeta e tyre. Krahas letrave që vinin edhe nga diaspora, vinin edhe ndihma solidare për minatorët dhe familjet e tyre.
Ishin bërë shtatë ditë e shtatë net ku minatorët qëndronin në grevë urie. Gjendja ishte buzë tragjedisë. Apelet vinin nga të gjithë anët që për hir të jetës së tyre, fëmijëve e familjeve të tyre të dalin nga miniera e të vazhdonin bisedat për realizimin e kërkesave të tyre. Por minatorët ishin të vendosur në qëndrimin e tyre. Ata nuk hiqnin dorë nga kërkesat e tyre. As biseda që u zhvillua një ditë më parë me Stipe Shuvarin nuk i bindi që të ndërpresin grevën. Grevistët i thanë Shuvarit se nuk dalin për së gjalli nga horizontet e nëntokës pa u realizuae kërkesat e tyre. Ashtu edhe vepruan. Por ditën e tetë, më 28 shkurt, në zgafelle arritën letrat mashtruese. Funksionarët e asaj kohe u kishin shkruar se vetëm për shkak të kërkesës së tyre po jepnin dorëheqje. Këto letra bënë që minatorët të binden dhe të ndërpresin grevën. Ata dolën në sipërfaqe të tokës, por sytë e tyre kur u ballafaquan me dritën sikur u verbuan. Shumë autoambulanca një numër të konsiderueshëm i dërguan në spital, të tjerët filluan të trajtohen në spitalin improvizues të tyre. Kështu u shthur drama tetëditëshe e grevës në “Trepçë”. Por më vonë u pa se minatorët u tradhtuan. Kërkesat e tyre nuk u realizuan. Dorëheqjet ishin mashtruese, ndaj menjëherë filloi burgosja dhe dënimi i tyre. Minatorët u burgosën dhe u dënuan, por mbeti e ndezur flaka e rezistencës së tyre, që pastaj u sublimua me lëvizjen gjithëpopullore për çlirimin e Kosovës, me luftën revolucionare të luftëtarëve të lirisë dhe aktivitetin e mëpastajmë deri në realizimin e Pavarësisë së Kosovës.
(Autori është reporter që ka përcjellë drejtpërdrejtë grevën e minatorëve)




















































