Në Istog, gratë e kësaj komune kanë ndërmarrë një nismë të jashtëzakonshme humanitare për nder të muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit.
Ato kanë organizuar një aktivitet bamirësie, ku përmes përgatitjes dhe shitjes së ushqimeve tradicionale, kanë arritur të mbledhin fonde të dedikuara për këtë kauzë.
Organizatorja e kësaj iniciative, Ajmane Metaj, për Telegrafin ka thënë se kjo nismë humanitare është organizuar me përkushtim të madh nga gratë vullnetare të Istogut, të cilat kanë sjellë gatime tradicionale për t’i ofruar në shitje.
Për Metajn ky aktivitet synon që çdo kontribut i mbledhur të shkojë për të ndihmuar një grua që po lufton me kancerin e gjirit, duke sjellë mbështetje të drejtpërdrejtë për të përballuar sfidat që kjo sëmundje sjell.
“E kemi një organizim bashkë me gratë vullnetare të cilat kanë sjellë ushqime tradicionale dhe këto ushqime do t’i shesim, dhe paratë e mbledhura ose më saktë motoja e parave të mbledhura është që t’i ndihmojmë një gruaje me kancer të gjirit”, ka thënë Metaj.
Ndërsa për bashkë-organizatoren Abetare Sutaj, kjo nismë është një akt i domosdoshëm për të mbështetur gratë në nevojë.
“Jemi bërë bashkë për me i shit këto produkte ushqimore dhe me paratë e mbledhura t’i ndihmojmë grave të cilat vuajnë nga kanceri i gjirit dhe të cilat kanë nevojë për ndihmën tonë”, është shprehur Sutaj për Telegrafin.
Me këtë iniciativë gratë e Istogut jo vetëm që synojnë të ndihmojnë financiarisht, por edhe të rrisin ndërgjegjësimin për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit./Telegrafi/