Goditi me veturë shtyllën elektrike, vdes 65 vjeçari nga Ferizaj

Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur sot rreth orës 12:15 në fshatin Mirosalë të Ferizajt.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Veseli tha se në lagjen “Cakaj” një veturë e tipit Golf me targa vendore ka goditur një shtyllë elektrike.
“Në vendin e ngjarjes është gjetur një person brenda veturës, për të cilin fillimisht nuk dihej nëse kishte shenja jete. Menjëherë janë njoftuar emergjenca, njësia e zjarrfikësve dhe Njësia e Komunikacionit Rrugor”, ka thënë Veseli.
Ai ka shtuar se gjithashtu, pas raportimeve për dëmtimin e shtyllës dhe rrëzimin e telave në tokë, është njoftuar edhe KEDS.
“Rreth orës 12:37, mjeku kujdestar nga emergjenca e Ferizajt ka konstatuar vdekjen e viktimës. Viktima është S. B, rreth 65 vjeç. Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit. Për informata shtesë, do të njoftoheni me kohë”, ka deklaruar Veseli. /Telegrafi/



















































