LAJMI I FUNDIT:

Ohër: Gjykimi kundër vëllezërve Useini shtyhet për më 26 tetor

Ohër: Gjykimi kundër vëllezërve Useini shtyhet për më 26 tetor

Seanca e parë gjyqësore kundër vëllezërve Useini nga Ohri, është anuluar për më 26 tetor. Arsye për këtë është përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të Ibraim Useini, vëllai i këshilltarit të BDI-së në Komunën e Ohrit, Nefi Useini.

Sipas asaj që u tha në gjykatë, Ibraim Useini ka pasur probleme me presionin e gjakut dhe është dërguar në Qendrën për sëmundje kardiologjike dhe vaskulare në Ohër, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në gjykatë sot nuk u paraqit i dëmtuari Spiro Topaloski, i cili është edhe dëshmitari kryesor në procesin që e udhëheq gjykatësi Millço Klishevski. Arsyetimi i tij ishte se gruaja është e punësuar në çerdhe dhe nuk ka kush të kujdeset për fëmijët.


Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike ngriti akuza kundër dy vëllezërve nga Ohri për dhunë. Bëhet fjalë për rastin e përleshjes para një hoteli në Ohër.

Vëllezërit Useini, të cilët fillimisht ishin në arrati, kanë qenë në paraburgim që prej 26 gushtit dhe janë nën hetim për rrahjen e Spire Topallovskit nga Ohri. Pas vendimit për paraburgim, ata u liruan pasi ofruan garanci prej 850 mijë eurove./Telegrafi/