Gjykimi i Sllagjan Trajkoviqit për krime lufte, dëshmitari Mustafa rrëfen si ia vranë nënën dhe babanë

Në seancën e së mërkurës, më 12.11.2025, në gjykimin e të akuzuarit për krime lufte, Sllagjan Trajkoviq, ka dhënë dëshminë Sylejman Mustafa.
I pandehuri Sllagjan Trajkoviq nga Prokuroria Speciale e Kosovës po akuzohet se në periudhën kohore 1998-1999, në fshatin Reznik dhe fshatrat përreth të komunës së Vushtrrisë, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestime, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të mijëra civilëve shqiptarë.
Dëshmitari Sylejman Mustafa rrëfeu para Gjykatës përjetimet e tij gjatë kohës së luftës si dhe momentet kur i ishin vrarë të dy prindërit.
Dëshmitari Mustafa tha se gjatë kohës së luftës kishte pasur shumë refugjatë të strehuar në shtëpinë e tij, në mesin e tyre më shumë kishte pasur gra dhe fëmijë.
Dëshmitari tha se më 27 mars të vitit 1999, në mëngjes të kësaj dite, pasi e kishte përcjellë mikun e tij, duke u kthyer i kishte parë disa persona duke e goditur një person, dhe pas kësaj nga frika ishte fshehur.
“Kur kam qenë duke u kthy prej mikut që e kam përcjellë pasi që i kam pa këta duke i sjellë njerit, ai thojke: ‘Oh kuku nane!’. Këta shajshin me fjalët: “Shqiptarët terroristë’. Dhe unë kur i kam pa ashtu, atëherë kam hy nër çeshme, se po të më kishin hetu ma kishin bo edhe mua ashtu” – tha dëshmitari.
Dëshmitari tutje tha se personi që ishte goditur nga këta persona kishte qenë i moshuar dhe kishte vdekur.
“E kishin mbytë plakun, ai kish vdekë. Viktimën e kam ni kah pisket, me pa nuk e kam pa. Viktimën e kam pa masi e kanë mbytë” – tha dëshmitari.
Më tej dëshmitari tha se në mesin e atyre personave që e kishin goditur plakun kishte qenë edhe vetë i akuzuari, Sllagjan Trajkoviq.
“I kam pa personat që e kanë goditë. Në mesin e tyre ka qenë edhe Sllagjani, këtë e kam njoftë prej fëmijërisë… Po, e ka goditë edhe Sllagjani, e ka goditë me kondak të automatit” – tha më tej dëshmitari.
Sylejman Mustafa tha se në çdo aksion që ishte ndërmarrë kishte qenë i përfshirë edhe vetë i akuzuari Sllagjan Trajkoviq.
Lidhur me të akuzuarin dëshmitari tha se e njeh shumë mirë. “Ty të kam njoftë si ‘paren e kuqe’” – iu drejtua dëshmitari të akuzuarit.
Dëshmitari tutje rrëfeu edhe momentet kur prindërit e tij ishin vrarë.
Gjatë deklarimit të tij, dëshmitar u përlot kur rrëfeu se si ishte vrarë nëna e tij në prezencë të tre fëmijëve të vegjël.
“Nanën ma kanë vra në prezencë të tre fëmijëve të vegjël, e kanë vra edhe e kanë pështy për së vdekuri e ia shajshin nanën e shqiptarit. Jemi shku poshtë te baba, e kanë shti mrena babën, e kanë vra, tri pushkë i kam ni, e kanë kallë shtëpinë, e kam pshtu babën pa u kallë kufoma, e kam varrosë babën në oborr ka nejtë 2-3 muaj në oborr” – rrëfeu dëshmitari.
“Kanë ba çka nuk ban njeri hiç” – tha në fund të dëshmisë dëshmitari Sylejman Mustafa.
Pas dëshmisë së dëshmitarit Sylejman Mustafa, vërejtje për dëshminë e dëshmitarit pati i akuzuari Sllagjan Trajkoviq.
Sipas të akuzuarit Trajkoviq deklaratat e dëshmitarit Sylejman Mustafa nuk përputhen me njëra-tjetrën.
Më pas i akuzuari kërkoi nga trupi gjykues që të sigurohen deklaratat e dëshmitarit Sylejman Mustafa të dhëna në UNMIK dhe në EULEX.
Tutje, trupi gjykues refuzoi propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Trajkoviq, avokatit Bogdan Llaziq, që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Safet Bezhani, me arsyetimin se trupi gjykues në seancat e kaluara ka refuzuar këtë propozim dhe se arsyetimi i refuzimit të këtij propozimi është i njëjtë.
Ndërsa lidhur me dëshmitarin Rexhep Pllanaku, gjyqtari Ngadhnjim Arrni bëri të ditur se Gjykata i ka ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurimin e tij, përmes urdhëresës që e kanë dërguar në stacionin policor në Vushtrri, mirëpo të njëjtit kanë thënë se ai nuk gjendet në atë regjion dhe nuk kanë të dhëna dhe ku mund të sigurohet i njëjti.
Më tej, Gjykata obligoi Prokurorinë Speciale dhe mbrojtjen e të akuzuarit Trajkoviq se në qoftë se ka propozime të tjera për plotësim të provave materiale të ia përcjellin Gjykatës në afat prej 7 ditësh në formë elektronike apo me shkrim.
Tutje, trupi gjykues aprovoi propozimin e avokatit Llaziq për anulimin e seancës të paraparë të mbahet nesër, më 13.11.2025.
Seancat e radhës lidhur me këtë çështje gjyqësore janë caktuar të mbahen gjatë muajit dhjetor 2025.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga Ngadhnjim Arrni (kryetar i trupit gjykues), Arben Hoti dhe Donika Shala-Avdyli (anëtarë).
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Sllagjan Trajkoviq dyshohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999, në fshatin Reznik dhe fshatrat përreth të komunës së Vushtrrisë, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, si pjesëmarrës i forcave policore dhe ushtarake serbe ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestime, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të mijëra civilëve shqiptarë.
Po ashtu, ai dyshohet edhe për masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.
“Duke shkelur kështu rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, katër Konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe protokollet shtesë”- thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Gjykimet për krimet e luftës
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu, raporton Kallxo.
















































