Aktori i Hollywoodit, Vin Diesel, ka fituar një gjyq në padinë për sulm seksual të ngritur kundër tij nga ish-asistentja Asta Jonasson.

Një gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Los Angelesit ka lëshuar një vendim të përkohshëm duke hedhur poshtë gjysmën e akuzave të padisë.


Asta Jonasson ngriti një padi në dhjetor 2023 duke pretenduar se aktori i famshëm e sulmoi seksualisht në vitin 2010 në një dhomë hoteli në Atlanta, ndërsa ajo po punonte për kompaninë e tij të prodhimit ‘One Race Films’ gjatë xhirimeve të “Fast Five”.

Vin Diesel

Ajo tha se Diesel më pas dyshohet se e tërhoqi me forcë në një shtrat, i preku gjoksin dhe këmbët dhe masturboi, dhe se e pushoi nga puna të nesërmen.

Gjykatësi rrëzoi katër akuzat e para për shkelje të ligjit të punësimit dhe strehimit në Kaliforni: diskriminim, mjedis pune armiqësor, hakmarrje dhe dështim për të parandaluar ngacmimin dhe diskriminimin.

“Kërkesat e paditëses janë të parashkruara ligjërisht sepse ajo nuk ka paraqitur një raport pranë një organi shtetëror brenda afatit ligjor, gjë që është kusht për ngritjen e padisë”, deklaroi gjyqtarja në vendim.

Nga ana tjetër, avokati i Astra Jonasson, Matthew T. Hale, tha: "Ne e respektojmë vendimin e gjykatës, megjithëse nuk jemi dakord me të. Ai ka të bëjë vetëm me një çështje teknike ligjore dhe nuk ka asnjë ndikim në faktet që mbeten objekt i procedurave të mëtejshme”.

Gjykimi vazhdon.

Edhe pse gjykata e rrëzoi gjysmën e padisë, gjashtë akuza të aktakuzës mbeten aktive.

Midis tyre janë dy pretendime të ndara për hakmarrje bazuar në ligjet e punës të Kalifornisë, një pretendim për pushim të padrejtë nga puna në kundërshtim me politikën publike dhe akuza më e rëndë, sulmi seksual.

Ka gjithashtu pretendime për mbikëqyrje dhe punësim neglizhent, si dhe shkaktim të qëllimshëm të shqetësimit emocional. Çështja, pavarësisht një pushimi të pjesshëm, vazhdon, me të dyja palët që njoftojnë beteja të mëtejshme në gjykatë. /Telegrafi/