Gjykata aprovon ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, seanca e radhës më 2 korrik

Trupi gjykues në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt ka aprovuar propozimin e mbrojtjes së të pandehurit Naim Murseli për ekzaminim e tij psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës brenda dy javësh.
Seancat e radhës janë caktuar më 2 e 3 korrik nga ora 13:10, ndërsa më 14 korrik nga ora 09:00.
Në seancën e 2 korrikut do të dëgjohet si dëshmitar vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj.
Avokati i familjes së Liridona Ademajt, e vrarë në fund të nëntorit 2023 në Bërnicë të Prishtinës, Leutrim Syla tha se qëndrojnë në tërësi prapa aktakuzës së ngritur ndaj të pandehurve për vrasje, ndërsa shprehu konsideratë për të pandehurin e katërt Tom Dodaj, i cili qysh në shqyrtimin fillestar kishte pranuar fajësinë.
Liridona Ademaj u vra mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në hyrje të fshatit Bërrnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpinë e saj me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Ajo u qëllua me plumb në qafë.
Të akuzuar për vrasjen e 30-vjeçares janë ish-bashkëshorti Naim Murseli, Granit Plava, Kreshnik Kokalla, dhe Tom Dodaj./Telegrafi/




















































