LAJMI I FUNDIT:

Gjilani rikthehet te fitorja, Hajvalia ndalet nga Vushtrria

Gjilani rikthehet te fitorja, Hajvalia ndalet nga Vushtrria

Gjilani ka shënuar fitoren e shtatë në këtë edicion të garave në Raiffeisen Superligë, duke e mposhtur Drenicën, me rezultat 1:0, në ndeshjen e zhvilluar, të shtunën, në stadiumin e qytetit në Gjilan, në kuadër të javës së 14-të.

Kësisoj, trajneri Bylbyl Sokoli ka debutuar me fitore, pasi vetëm një ditë më parë e mori drejtimin e skuadrës së Gjilanit, duke e zëvendësuar Sedat Pajazitin, i cili u shkarkua nga drejtuesit e klubit.

Golin e fitores për Gjilanin e shënoi Besnik Krasniqi, nga penalltia, në minutën e 75-të, pasi paraprakisht u ndal në mënyrë të palejueshme në zonë nga kapiteni i mysafirëve, Sami Geci.

Pas kësaj fitoreje, Gjilani ngjitet së paku përkohësisht në pozitën e dytë, me 24 pikë, derisa Drenica mbetet në pozitën e 8-të, me 16 pikë.


Ndërkohë në ndeshjen tjetër që u zhvillua sot në Kizhnicë, Hajvalia dhe Vushtrria e kanë mbyllur ballafaqimin e tyre pa fitues dhe pa gola. /Telegrafi/