LAJMI I FUNDIT:

“Át Gjergj Fishta”, libri më i ri i Sabri Hamitit

“Át Gjergj Fishta”, libri më i ri i Sabri Hamitit

Shkrimtari e studiuesi Sabri Hamiti, ka botuar këto ditë monografinë për Poetin kombëtar Gjergj Fishta, në 80-vjetorin e kalimit të tij në amshim.

Në këtë libër përmbahen shkrimet e akademik Sabri Hamitit për veprat e tij: epike, “Lahuta e Malcís”; lirike “Nji lule vjeshtet”; dramatike, “Juda Makabé”; satirike, “Nen hajat të Parrizit”; polemike, “Hijeve të Parnasit”, të cilat studiuesi i ka shkruar në tri deceniet e fundit.

“Gjergj Fishta, për katër decenie, i vlerësuar për t’u kurorëzuar me statusin e Poetit të kombit. Për katër decenie të tjera, i mohuar për ta shpënë në statusin e Poetit të ndaluar. Dhe, për tri deceniet e mbrama, i rinjohur, për t’u nominuar Monument i letërsisë shqipe”, shkruan Hamiti në parathënien e librit, të cilin e konsideron Hero kulturor shqiptar.


Libri është botuar nga “Botime Françeskane” në kolanën e revistës së famshme “Hylli i Dritës” të Shkodrës, të cilën e kishte themeluar dhe udhëhequr vetë Gjergj Fishta.

Këtë vit shënohet 80-vjetroi i kalimit në amshim i Gjergj Fishtës, ndërsa vitin e ardhshëm 120-vjetori i lindjes.