Gjendet i vdekur një person në Prizren, rasti po hetohet

Një person është gjendur pa shenja jete sot rreth orës 11:35 në fshatin Serbicë e Ulët në Prizren.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Sipas tij, njësitet policore dhe emergjenca mjekësore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij.
“Sot, më datë 17.12.2025, rreth orës 11:35, Policia ka pranuar informatën se në fushën e fshatit Serbicë e Ulët, në Prizren, është vërejtur një person pa shenja jete. Njësitet policore dhe emergjenca mjekësore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e personit”, ka thënë Bytyqi.
Tutje bëhet e ditur se viktima është identifikuar si M.K., 57 vjeçar, mashkull, nga fshati Serbicë e Ulët. “Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe është duke mbledhur informacione, prova materiale dhe dëshmi relevante. Nga shikimi fillestar është vërejtur se viktima ka një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit në trup, ndërsa në afërsi të trupit është gjetur një armë zjarri – pistoletë. Prokurori kompetent është njoftuar dhe veprimet e mëtejme do të ndërmerren në përputhje me udhëzimet e tij. Hetimet janë në vazhdim me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, ka thënë Bytyqi. /Telegrafi/










































