Agjenda e ngarkuar politike në Kosovë e ka lënë nën hije dhe po e pengon zhvillimin ekonomik të vendit, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës. Ndër të tjera ai thotë se komuniteti i biznesit në Kosovë ka kërkuar nga Qeveria që t’i largojë njerëzit joprofesionalë që tashmë janë vënë në pozita kyçe.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Gërxhaliu, Qeveria e Kosovës, pas formimit të saj ishte zotuar se do t’i kushtojë rëndësi të madhe zhvillimit ekonomik, apo me konkretisht, sektorit privat. Cili është intensiteti i angazhimeve të ekzekutivit në këtë drejtim?
Safet Gërxhaliu: Definitivisht, agjenda politike që është duke dominuar në Kosovë është duke e dëmtuar një agjendë të tillë të paraparë dhe të planifikuar nga ana e Qeverisë së Kosovës për procese ekonomike. Por, duhet theksohet e vërteta që sektori privat është duke bërë hapa shumë më të shpejtë për proceset ekonomike se sa politika, dhe në këtë drejtim, besoj që këto viteve të fundit karakterizohet me një dialog intensiv publiko-privat.
Prapë po them se nëse dikush e meriton epitetin e heronjve të Kosovës të pasluftës, nuk janë politikanët që humbin kohë në tentativë për të zbukuruar të kaluarën, por komuniteti i biznesit që e ndërton ardhmërinë, sepse krijon vende të reja të punës, gjeneron buxhet dhe mbi të gjitha i përshpejton proceset integruese dhe përmirëson imazhin e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Sipas Odës Ekonomike të Kosovës , cila është gjendja e sektorit privat apo me cilat barriera po ballafaqohet ky sektor?
Safet Gërxhaliu: Po e filloj përgjigjen e kësaj pyetjeje, në takimin e fundit që kishim me kryeministrin e Kosovës (Ramush) Haradinaj, ku isha me afro 80 biznesmenë dhe kërkesa e tyre ka qenë:‘Zoti kryeministër, ne nuk kërkojmë ndihmë, vetëm mos na pengoni. Në qoftë se mendoni të na ndihmoni, atëherë eliminoni burokracinë dhemos lejoni që njerëzit e padijshëm të vendosen në pozita kyçe, sepse ata gjenerojnë korrupsion, ata gjenerojnë burokraci dhe nga kjo burokraci, dëmtohet biznesi vendor dhe në të njëjtën kohë dëmtohet imazhi i Kosovës, ndërsa demotivohen i investitorëve të huaj’.
Në këtë drejtim, besoj që nëse mendohet drejt ardhmërisë dhe që vërtet ekonomia të jetë prioritet për Qeverinë aktuale, atëherë sundimi i rendit dhe ligjit duhet të jetë prioritet, sepse ne mund të flasim për reforma, për strategji, por në qoftë se nuk kemi sundim të rendit dhe ligjit, nuk kemi edukim të personelit në administratën publike, paraprakisht do të jemi të gjykuar për të dështuar.
Në këtë drejtim, besoj që është koha kur duhet ekspertiza shkencore dhe sundimi i rendit dhe ligjit të jenë prioritete, që vërtetë Kosova ta zë hapin me vendet e rajonit dhe më gjerë. Në qoftë se i analizoni vendet e rajonit, janë duke bërë reforma vërtet të mëdha, reforma të cilat po konkretizohen me investime të huaja të brendeve ndërkombëtare, që për fat të keq në Kosovë ato nuk janë duke ndodhur.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Gërxhaliu, këto reforma a po pengohen nga agjenda politike, konkretisht nga demarkacioni, a po ndikojnë edhe në sferën ekonomike në vend, rrjedhimit tek investitorët e huaj?
Safet Gërxhaliu: Në qoftë se do të bëhej apel në qarqet më armiqësore të Kosovës dhe të apelohet që të hartohet një strategji që ta shkatërrojë Kosovën, besoj se nuk do të dinin të vepronin më keq, sesa që po vepron garnitura politike aktuale e Kosovës.
Janë tri fenomene që ka aktualizuar kjo kategori e politikanëve në Kosovë. E para, marrëveshjet ndërkombëtare i kanë shndërruar në luftë për pushtet dhe në luftë për pozitë dhe opozitë. E dyta është zyrtarizimi i dhunës dhe e treta, që është më shqetësuese, është zbehur dhe nuk kanë ekzistuar linjat e kuqe me ambasadat mike të Kosovës, qoftë ato të Quint-it, në veçanti ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në të kaluarën, kur është sjell një vendim për të mbështetur Kosovën, ka qenë vërtet një fjalë e fundit e këtyre ambasadave dhe kjo garniturë politike nuk i vlerëson më as rekomandimet e shteteve mike, në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që është dëm i madh.
Në të kundërtën, vendet e tjera të rajonit edhe armiqtë tentojnë t’i bëjnë miq. Ne miqtë po i shndërrojmë në armiq dhe në kundërshtarë, duke e ditur se është dëm i madh. Fjalët që kanë dominuar më së shumti në këto tre vjetët e fundit, definitivisht ka qenë fjala demarkacion, fjala Asociacion dhe liberalizim. Por, fati i këtyre tri problemeve shumë më tepër ka qenë në duart e deputetëve, që flasin në emër të popullit, por më së paku veprojnë në emër të popullit.
Unë besoj që është koha kur për shtet duhet të bëhet më tepër sesa të flitet. Duhet të kuptohet që interesat e partive politike nuk mund të jenë mbi shtetin dhe në qoftë se luftohet për pushtet, nuk duhet të dëmtohet shteti, sepse pushteti duhet të jetë në funksion të shtetit.
Në këtë drejtim, në qoftë se proceset vërtet janë kthyer në pikën zero, në Kosovë në vitin 2017 dhe 2018, atëherë, merita më e madhe u takon, në kontekstin negativ, deputetëve të Parlamentit të Kosovës dhe mbi të gjitha neglizhimit ose politizimit të problemit të Demarkacionit, me një shtet mik çfarë është Mali i Zi, një shtet që në kohën e vështirë, në kohën kur orientimet pro-serbe kanë qenë aktuale, e pranon Kosovën dhe një shtet që në vitet 98-99, në krizën më të madhe në Kosovë gjen mundësi për të strehuar kosovarë të ikur.
Prandaj, besoj që në këtë drejtim jemi duke e dobësuar imazhin tonë, por mbi të gjitha ekonomikisht e kemi kthyer Kosovën mbrapa. Si duket, shumë më tepër jemi duke ushqyer armiqtë e Kosovës, por dua të besoj se Kosova pavarësisht një neglizhence të tillë politike, do të mbijetojë si shtet për inati të armiqve dhe të politikë-bërësve në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë: Qeveria e Kosovës ka rritur pagat për punonjësit e sektorit publik, por ka bërë përpjekje që t’i rrisë pagat edhe për zyrtarë të lartë të Qeverisë. Kjo rritje në çfarë forme ndikon te sektori privat?
Safet Gërxhaliu: Si Odë Ekonomike ne kemi mbështetur paraprakisht një rritje, e cila do të jetë drejtpërdrejt në linjë me rritjen ekonomike në Kosovë. Mirëpo, kjo që po ndodh me rritjen e pagave, vërtet, është një momentum dhe grushti më i madh që i bëhet sektorit privat.
Ju e dini që Oda Ekonomike i përcjellë trendët ekonomik dhe konjukturën ekonomike në Kosovë. Është e vërtetë që problemet ose sfidat kryesore që kanë qenë në të kaluarën, si: energjetika, kamatat e larta bankare, mungesa e sundimi të rendit dhe ligjit, sot problemi më i madh është fuqia punëtore. Në qoftë se vazhdohet me këtë trend që të rriten pagat në sektorin publik dhe të dëmtohet sektori privat, ndërsa sektori privat është ai që e bën buxhetin dhe pagat për sektorin publik është një paradoks që mund të ndodhë vetëm në Kosovë.
Por, dua të besoj, se në këtë formë të rritjes së pagave në administratën publike, vërtet shumë më tepër po stimulohet ose po mbështetet mospuna sesa puna. Nuk jam kundër rritjes së pagave të themi të mjekëve, të policëve të atyre që vërtet kontribuojnë për ardhmërinë e Kosovës.
Por, për fatin e keq, sot kemi zyrtarë në institucionet e Kosovës, në administratën publike të stërngarkuar, të politizuar dhe të kriminalizuar, ku me vite të tëra nuk bëjnë punë ose e pranojnë edhe vetë, që të mos jetë kompjuteri dhe interneti që të shikojnë filma dhe të dëgjojnë muzikë, ne do të çmendeshim. Atyre njerëzve t’u rritet paga është dëmi më i madh që po ndikon në aspektin psikologjik në demotivimin e të rinjve për t’u punësuar dhe për t’u orientuar në sektorin privat.
Çdo i ri sot e ka një ëndërr që të punojë në sektorin publik, të marrë pagë të majme, ta ketë të siguruar ardhmërinë pa perfomuar dhe pa asnjë punë dhe obligim. Pra, besoj që një hap i tillë është një dëm shumë i madh, që dua të besoj se duhet të rregullohet me ligj, sepse po dëmtohet sektori privat, i cili edhe ashtu është në pozitë jo të favorshme në krahasim me vendet e rajonit. /REL/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëVite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë
A më shumë kemi konsumuar energji elektrike në shtator 2023 a në shtator 2024? ASK del me statistika
“Ajo Mal” – Një dokumentar që frymëzon dhe fuqizon vajzat dhe promovon malet e Kosovës
Në këto ditë të ftohta, hani ushqime të ngrohta!
SHBA-ja sanksionon bankën ruse, Gazprombank
Black Friday në AZTECH: Zbritje spektakolare deri në -60%!
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje