LAJMI I FUNDIT:

Gënjeshtra e përparimit

Politika kosovare, duke dështuar të krijojë përmirësim në jetën e qytetarëve, krijon iluzionin e përparimit përmes sloganeve boshe dhe disa ndryshimeve që nuk ndryshojnë asgjë.

Kërkesat e shoqërisë kosovare për ndryshime janë të mëdha. Dhe, duke kuptuar nevojën e ballafaqimit me këtë presion social, politika kosovare ka zgjedhur paradigmën e diskursit të ndryshimit për të krijuar iluzionin e përmirësimit të gjendjes. Mirëpo, ky ligjërim publik duhet të sfidohet. Se ndryshimi e dimë se nuk është përmirësim. Të shohim konkretisht se si jetësohet kjo dukuri.


Politika e “reformave”

Në aspektin politik, qysh në fushata zgjedhore, partitë ofrojnë prurje “të reja” për të mbuluar faktin se nuk kanë strategji ose planprogram si do të qeverisin. Në qeverisje, mungesën e çfarëdo politike publike të mirëfilltë, qeveria e kompenson me fjalimet për “reforma”.

Reforma kushtetuese

Faktin që partitë e koalicionit haptazi i shkelën procedurat ligjore e kushtetuese të zgjedhjes së presidentit, e paraqesin si nevojë për reformë kushtetuese. Me ligjërimin publik për reformën jepet përshtypja se po përmirësohet diçka që ka qenë keq. Dhe kjo pranohet si e dhënë edhe nga shoqëria civile. Askush nuk pyet, a duhet, në fakt, të ndërrohet kushtetuta? Rregullat kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nuk janë të këqija. Problemi është të gatishmëria e partive për t’i shkelur ato me dyja këmbët. Më kot krijojmë rregulla të reja kur ato do të shkelen prapë. Gjykata kushtetuese e dha verdiktin për procedurat, dhe ky verdikt do të duhej të ishte zgjidhja e problemit, nëse ka pasur problem, të zgjedhjes së presidentit.

Reforma zgjedhore

Faktin që votat u vodhën në masë të madhe në zgjedhje, politikanët e paraqesin si nevojë të ndryshimit të sistemit zgjedhor. Përsëri, krijohet përshtypja se po ballafaqohemi me problemin dhe po përmirësohet gjendja. Përsëri, shoqëria civile nuk e sfidon këtë, duke rënë kurth e retorikës së “reformës zgjedhore” për të cilën ka bërë kërkesa vazhdimisht. Për më tepër, nuk bëhet një analizë e pasojave të reformave zgjedhore që janë bërë deri më tash. Sistemi zgjedhor nuk është i keq. Problemi është te partitë politike që janë të gatshme të vjedhin vota pa iu trembur syri, se e dinë që nuk do të dënohen.

Në vend se të përmirësohet menaxhimi i zgjedhjeve – pastrimi i listave, vëzhgimi, numërimi – flitet për reformë zgjedhore, e cila nëse bëhet nuk do ta përmirësojë fare procesin zgjedhor. Dhe ky “ndryshim” paraqitet si përmirësim, e që në fakt është vetëm lojë për përforcimin e pozitave të disa partive. Gjithashtu, reformat e deritashme, si hapja e listave, vetëm sa e kanë përkeqësuar procesin, ku kandidatët individualë kanë blerë komisionerët haptazi.

Shtatori, tetori dhe nëntori duhet të jenë muajt e debatimit të reformës zgjedhore, mirëpo publiku nuk di asgjë për këtë. Islanda e krijoi kushtetutën e re, me propozime të të gjithë qytetarëve në internet. E Kosova që ka përqindjen më të lartë të shfrytëzuesve të internetit në rajon dhe një sipërfaqe shumë të vogël, nuk mund të bëjë një debat të mirëfilltë për reformë zgjedhore. Ashtu si me “reformat” e tjera të deritashme, edhe kjo, si duket, do të rezultojë në përforcimin e një oligarkie.

Riformatizimi i qeverisë

Faktin që qeveria ka legjitimitetin e zgavruar pas zgjedhjeve të vjedhura, qeveritarët mundohen ta “zbusin” me riformatizim. Dhe faktin që qeveria nuk ka politikë koherente për të shfrytëzuar resurset njerëzore, mes tjerash, për të përmirësuar administratën dhe marrjen me çështjet e qytetarëve, politikanët e paraqesin si nevojë për riformatizim. Vetëm në Kosovë ndodh që disa javë pasi të krijohet qeveria të flitet për riformatizimin e saj. Riformatizimi duhet të pranohet nga publiku si zgjidhje e të gjitha problemeve me qeverisjen. Nga përvoja e qeverisë së mëhershme e dimë çfarë “përmirësime” të mëdha solli formatizimi i qeverisë. Në fakt, riformatizimi, i cili vazhdimisht pranohet si i qenë nga opinioni publik, shërben vetëm për të forcuar patronazhin.

Sundimi i ligjit apo sundimi mbi ligjin

Retorika e “reformës” nuk është askund më shumë e theksuar sesa në fushën e sundimit të ligjit. Këtu është fokusi i bashkësisë ndërkombëtare, dhe kjo fushë është më e rëndësishmja sepse ndikon te të gjitha fushat e tjera të shtetit. Prandaj, më së shumti përmenden fjalët “sundimi i ligjit”, “lufta kundër korrupsionit” së bashku me “reformën”. Por, në të vërtetë drejtësia është një gjendje katastrofale.

Reformat ligjore që bëhen në fushën e gjyqësisë, gjithmonë caktohen të hyjnë në fuqi në një datë të mëvonshme. Kështu që efekti i tyre është i vogël. Kurse, rezultatet e procesit të rizgjedhjes u panë me verdiktet e rasteve të vjedhësve të votave. Gjyqësia e “reformuar” nuk ishte në gjendje të garantonte dinjitetin e qytetarëve dhe votën e lirë që është e shenjtë për demokracinë.

“Vendosja” e sundimit të ligjit në veri

Edhe përpjekja e qeverisë për të dërguar policë shqiptarë në dy pikat kufitare 1 dhe 31, prezantohet si vendosje e rendit dhe ligjit në veri. Dhe meqenëse veriu është një pikë që i prek ndjenjat nacionaliste, natyrisht se është tabu të kritikohet “tentimi për marrjen e veriut”. Realiteti është se veriu është krejt diçka tjetër nga dy pikat kufitare, dhe ai territor ende kontrollohet nga strukturat paralele serbe. Kurse, pikat 1 dhe 31 kontrollohen nga KFOR-i (i cili ka vendosur shenja se aty është kufiri i Provincës së Kosovës). Dhe vetë aksioni fillestar i veriut, ishte i paplanifikuar dhe i menduar si dalje nga kriza e legjitimitetit. Dërgimi i policëve pa mbrojtje çoi në vdekjen e Enver Zymberit. Dhe qeveria që flet për krijimin e “shtetit të dijes” krijon lajme për Kosovën si vend i dhunës etnike, 12 vite pas përfundimit të luftës.

Natyrisht, të gjithë e njohim Enver Zymberin, i cili u shpall hero. Por sa veta e dinë kush është Luan Ademaj? Ky është një polic tjetër që humbi jetën për shkak të krimit të organizuar. Bëri vetëvrasje. Punonte në Kullë të Pejës. Dhe çka ndodhi me këtë rast? Asgjë. U harrua. Ja se çfarë bën drejtësia kosovare për sundimin e ligjit. Nëse dërgohesh për t’u vrarë në emër të “reformave” e “ndryshimeve” shpallesh hero, e nëse vritesh nga krimi i organizuar në një ditë normale, dhe qëllon të punosh në kufijtë joveriorë të Kosovës, harrohesh.

Ekonomia e “strategjive”

Në mungesë të vullnetit për veprime të guximshme që e rigjallërojnë ekonominë, krijohet një “strategji” brenda një vikendi dhe prezantohet në powerpoint. Fatkeqësisht, nuk kemi përvojë të mirë me strategjitë; siç e dimë me miliona euro u shpenzuan për një Strategji kombëtare të zhvillimit ekonomik, e cila nuk u prodhua kurrë. Asnjë qeveri nuk ka pasur guxim të mendojë ose të hapë debat për mënyrën e zhvillimit të Kosovës, për politikat e deritanishme, dhe për rrugëdaljen nga varfëria. Ajo çka na ofrohet është një “vizion” për Kosovën si shtet “evropian”. Çuditërisht, me deklarimin e këtij vizioni në Strategjinë e Bullgarisë qeveria ka pranuar tashmë edhe zyrtarisht atë që tregojnë shifrat, se Kosova është në fakt vend afrikan, e jo evropian, për nga çdo statistikë ekonomike. Dhe ekonomistët, që nuk e dinë ku janë në spektrin ideologjik, herë bëjnë kritikë për hirë të kritikës herë hidhen në trenin e duartrokitjeve të veprimeve populiste.

Sa u përket fjalëve “prosperuese” dhe “të dinjitetshme” në vizionin për Kosovën, përgjigjja më e mirë është regjistrimi i popullsisë. Atë që e kemi ditur nga “rasti Tisa”, e konfirmoi ky regjistrim. Se kosovarët janë në gjendje të rrezikojnë jetën, vetëm të ikin nga jeta “prosperuese” dhe “e dinjitetshme” që u kanë ofruar të njëjtët politikanë që deklarojnë ato vizione. Dhe absurdi më i madh është se qeveria mburret se janë përmirësuar indikatorët ekonomikë, për shkak se tashmë Kosova ka më pak popullsi!

Një përrallë e treguar shumë në Kosovë, është ajo e investimeve. Çdo gjë që prezantohet si “investim” në Kosovë, nuk është asgjë tjetër pos shitje “me lirë pare” e aseteve publike. Nëse ia shet dikujt traktorin që e ke me një të pestën e çmimit real, nuk ke siguruar ndonjë investim. Thjesht e ke shitur traktorin “falë”.

Privatizimi dhe dhënia me koncesion e ndërmarrjeve që përfitojnë para nuk është ndonjë “investim” i ri. Nëse shitet PTK-ja, për hir të privatizimit dhe të pasurimit të politikanëve, nuk është ajo sigurim i investimeve. PTK-ja është kompani përfituese dhe nga profiti i saj mund të ndërmerren shumë projekte zhvillimore. Shitja e 75% të aksioneve të PTK-së me çmim aq të lirë, në një treg të keq ku askush nuk ka para, është absurde. Nëse e ke një lopë dhe me qumështin e saj i fiton 100 euro në muaj, a ke llogari ta shesësh lopën për 300 euro? Jo.

Nuk ka ndodhur në Kosovë që të vijë një kompani e huaj për të çelë themel të ri për investim (greenfield). Dhe nuk do të ndodhë, nëse s’ka sundim ligji, investitorëve potencialë u lypet haraç, dhe s’kemi njerëz të aftë për të punuar. “Shteti i dijes” po prodhon diploma që janë tapeta, e asgjë më shumë.

Politika e jashtme pa krye

Kur ka shumë kuzhinierë në kuzhinë, nuk ka darkë. Kur ka shumë krerë në politikë të jashtme, rezultatet janë të këqija. Kjo është storia e politikës së jashtme të Kosovës. Për t’u krijuar përshtypja e dinamizmit dhe përmirësimit të numrit të njohjeve, marrëveshjet private të natyrës së biznesit, prezantohen si vendosje e marrëdhënieve shtetërore! Njohjet shpallen pa u siguruar ato dhe pasojnë turpërimet ndërkombëtare.

Në kohën kur flitej për dialogun teknik me Serbinë, qeveritarët thoshin se nuk do të ketë dialog politik, edhe pse dihej se aty është caku. Tash thuhet se do të shkojmë në dialog politik krahëhapur. Kjo bëhet për të krijuar përshtypjen e suksesit të dialogut teknik. Çuditërisht, kjo ndodh pikërisht në kohën kur kanë dështuar takimet e dialogut teknik. Dhe çfarë suksesi solli dialogu teknik? Çfarë kompromisi bëri Beogradi? Njohu vulat që thonë “Dogana e Kosovës”! Nuk është kompromis kur propozimi yt fillestar është mesi. Po të kishim vendosur ne “Republika e Kosovës” në vula, e Serbia të pranonte vetëm “Dogana e Kosovës” kjo do të quhej kompromis.

Gjykuar nga “suksesi” i dialogut teknik, shihet se kjo qeveri nuk është e gatshme të ballafaqohet me Beogradin në dialog politik. Dhe prapë publikut i shiten si “ndryshim” e “përmirësim” pasojat e dialogut që sjellin kamionë me mallra nga Serbia në raport 100 me 1 me Kosovën. Është e pakuptueshme pse Qeveria e Kosovës ishte aq e gatshme ta ndërpriste reciprocitetin kur Serbia vazhdon me obstruksione.

Për të fshehur stagnimin, Qeveria ka zgjedhur retorikën e “ndryshimit” me qëllim që të krijohet përshtypja se po përmirësohet gjendja në Kosovë. Kjo paradigmë e ligjërimit publik krijon iluzione në opinion dhe mund të ketë pasoja të rrezikshme. Nëse injorohen çështjet reale të jetesës, kjo politikë mund të çojë drejt trazirave.

(Autori është drejtor i Institutit Ballkanik të Politikave. Qëndrimet në këtë opinion janë personale)