LAJMI I FUNDIT:

Gashi: Ka konsensus të plotë për Komisionet parlamentare, seanca në orën 15:00

Gashi: Ka konsensus të plotë për Komisionet parlamentare, seanca në orën 15:00
Foto: Arkiv

Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka bërë të ditur se kanë rënë dakord me të gjitha grupet parlamentare që seanca plenare të vazhdojë në ora 15:00 dhe sipas tij po ashtu ka konsensus të votohet për 14 komisione parlamentare.

Gashi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se kanë arritur konsensus të plotë mes pozitës dhe opozitës lidhur me votimin e 14 komisioneve parlamentare.

“Mund të konkludojmë se pas mbledhjes së kryesisë disa keqkuptime u sqaruan dhe ka konsensus të plotë që në ora 15:00 të vazhdojmë me seancën dhe të vazhdojmë me 14 komisione”, u shpreh Gashi.


Ndryshe, sot Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë por nuk u arrit të votohet për Komisionet parlamentare në mungesë të votave dhe konsensusit pozitë-opozitë.

Në këtë seancë të Kuvendit pati një përplasje verbale mes kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani dhe shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza.

Në kohën kur Hamza ishte duke folur në foltore, regjia i ndalon fjalën pastaj Osmani kërkon nga regjia që t’ia vazhdojë fjalën në rast se nuk e ka kaluar minutazhën e duhur.

“Regjia nëse nuk janë përmbushur 10 minuta atëherë ia zgjatni fjalën”, tha Osmani.

“Zonja kryetare është fjalim bash për rendin e ditës dhe këtë ti e di mirë”, iu drejtua Hamza, Osmanit.

Kryetarja Osmani iu drejtua Hamzës “Nuk ki nevojë me bërtit z.Hamza po të dëgjojmë mirë”

Osmani tutje tha “Po tregojmë mirëkuptim, herëve tjera i lexoni pak më mirë edhe merrni pjesë në mbledhje të kryesisë”.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, i tha Osmanit se po sillet me arrogancë: “Nuk të duhet kjo arrogancë, keq e ki. Faleminderit për këshillën për tonalitet do të flas më butë. Keq e ki nis, ndërrohu, me këtë arrogancë nuk shkon askund”, tha Hamza. /Telegrafi/