LAJMI I FUNDIT:

Gashi i përgjigjet Muratit: Paratë e Trustit nuk i merr shteti por qytetarët

Gashi i përgjigjet Muratit: Paratë e Trustit nuk i merr shteti por qytetarët

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka ftuar deputetët që të votojnë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, dhe ka thënë se i siguron edhe Partinë Demokratike të Kosovës edhe Lëvizjen Vetëvendosje se do të përfshijnë çdo vërejtje nga ta në këtë Projektligj.

Fillimisht Gashi i reagoi deputetit të LVV-së, Hekuran Murati duke i thënë se nuk është e mundur që shteti të marrë paratë e kursimeve të qytetarëve të Kosovës, duke shtuar se nuk është mirë që të spekulojë.

“Pikë së pari, nuk është mirë me spekulu e me kriju përshtypje të gabume. Paret që tërhiqen nga Trusi i merr kontribut dhënësi. Secili qytetar i merr paret e veta. Pra, shteti ia mundëson me Ligj që me i marr 10 për qind të pareve pa i mbush 65 vjet. Nuk ka asnjë mundësi që shteti me i marrë ato pare, paret personale të secilit qytetar dhe me i qit në buxhet të vetit. Tash ato idetë fantastiko shkencore çka ka me ndodh unë nuk i di, por shteti nuk i merr paret e tyre”, tha ai.


Gashi u shpreh po ashtu se sa i përket mundësisë dhe kontributit të dhënë nga kolegët, duhet të kenë kujdes se si flasin.

“Kemi kujtesë historike e cila na tregon se e dimë qysh kanë kalu ligjet, e qysh nuk kanë pranu me u mbajt mbledhjet e Komisionit, është dasht me u mbajtë me një të tretat. Mendoj se janë çështje procedurale. Rëndësi sot ka një çështje, e kemi një projektligj para vetes, për të cilët i ftojmë deputetët ta votojnë në lexim të parë. Edhe po i garantojmë edhe LDK-në edhe LVV-në që të gjitha çështjet që të arsyeshme do t’i diskutojmë dhe do t’i përfshijmë, qoftë edhe ndërrimi i titullit të ligjit. Tjetër nuk di çka me ju ofru më shumë”, tha Gashi. /Telegrafi/