G Bani me nismë humanitare, nis renovimin e një shtëpie të një familje nevojtare

Ish-banori i “Big Brother VIP Albania”, G-Bani, ka treguar një anë krejt tjetër të tij, duke nisur një nismë me zemër të madhe për të ndihmuar familjet shqiptare që jetojnë në kushte të vështira.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, artisti ka ndarë pamje nga gjendja e rënduar e një familjeje, ndërsa ka bërë të ditur se do të angazhohet personalisht për të rinovuar plotësisht banesën e tyre. Iniciativa e tij ka marrë menjëherë vëmendjen dhe përkrahjen e publikut.
Pas publikimit të videos, G-Bani ka treguar se është përmbytur nga mesazhe në “inbox”, me njerëz që kërkojnë ndihmë për familjarë apo për persona të tjerë në nevojë. “Nuk e kam ndjerë kurrë më shumë se tani se sa shumë njerëz kanë nevojë për mbështetje,” ka shkruar ai.

Ai ka bërë apel për ndihmë ndaj ndërtuesve dhe bizneseve që mund të kontribuojnë për të përmirësuar kushtet e jetesës së familjeve në skamje. “Ndërtuesi që më ofroi mundësinë për të ndihmuar, nuk mund të marrë për sipër kaq shumë raste. U lutem të gjithë ndërtuesve që kanë respekt për mua të më ndihmojnë që të përmirësojmë edhe më shumë banesa për familje në nevojë. Jam i gatshëm t’i lidh palët me njëri-tjetrin për të shmangur çdo hije dyshimi për keqpërdorim të bamirësisë,” – ka theksuar ai.
Artisti gjithashtu është shprehur se dëshiron ta përdorë popullaritetin e tij për qëllime të mira, pavarësisht se aktualisht nuk ka mbështetje financiare të madhe. “Po të kisha koncerte të mjaftueshme, do ta bëja vetë,” – ka shtuar ai, duke theksuar se ndonëse nuk është në periudhën më të fortë profesionalisht, dëshiron të lërë pas diçka me vlerë për njerëzit.
Nisma e G-Banit është pritur me shumë pozitivitet nga ndjekësit, të cilët e kanë përgëzuar për këtë gjest human dhe për dëshirën për të sjellë ndryshim në jetët e atyre që kanë më shumë nevojë. /Telegrafi/





























































