Nga: Jonathan Jones / The Guardian (titulli origjinal: ‘We will glorify war – and scorn for women’: Marinetti, the futurist Mussolini sidekick who outdid Elon Musk)
Përkthimi: Telegrafi.com
Filippo Tommaso Marinetti ishte Elon Musku i fillimit të shekullit XX, i cili mahnitjen për inovacionin teknologjik e kombinonte me oreksin për politika jodemokratike. Përderisa Musku ndërton raketa, Marinetti adhuronte shpikjet e reja të mrekullueshme – aeroplanin dhe veturën. Manifesti Futurist, të cilin e shkroi kur lëvizja ekzistonte vetëm në mendjen e tij, fillon me një përshkrim entuziast të një ngasjeje të shpejtë që përfundon me një aksident – një ngjarje që, sipas tij, ishte më kënaqshme sesa Nika nga Samotraka, pra skulptura e famshme greke në Luvër. Makineritë, besonte ai, i bënin të gjitha artet e mëparshme të parëndësishme. Futurizmi, sipas Marinettit, do të lartësonte bukurinë e re dhe të vrazhdë.
Roli i Marinettit në formësimin e botës moderne nuk është vlerësuar mjaftueshëm, ndoshta sepse ai ishte kaq kundërthënës dhe fyes ndaj vlerave demokratike. Futurizmi zakonisht çmohet nga artistët dhe arkitektët që frymëzoi, por jo aq shumë për liderin e tij të zjarrtë, i cili nxiste debate, mbante fjalime dhe provokonte turmat. Megjithatë, një ekspozitë që hapet këtë muaj në Koleksionin “Estorick” në Londër, vë në qendër kontributin krijues të vetë Marinettit në futurizëm. Me titullin Të thyesh rregullat [Breaking Lines], ekspozita përqendrohet në atë që Marinetti e quajti “fjalë në liri” – poezinë eksperimentale pa formë, e ngjashme me kolazhin, të cilën ai e shpiku në poezinë e tij zanore dhe konkrete të viteve 1912–’13 – Zang Tumb Tuuum.
Ekspozita është një mundësi për të trajtuar këtë figurë të shkëlqyer, por shqetësuese, në një kohë kur lloji i politikës që ai përfaqëson mund të jetë duke u rikthyer. Në fotografi, ai duket si një përzierje mes një diktatori dhe një dandi, me mustaqe që kthehen lart në stil ushtarak, ndërsa pozon si një orator ose shtrihet në një tryezë kafeneje, duke pasqyruar bohemin që ishte. Lindi në Egjipt në vitin 1876 nga prindër italianë; u arsimua në Paris dhe shkroi poezi në frëngjisht. Ishte pikërisht lidhja e tij e ngushtë me avangardën parisiane që i mundësoi të shpallte revolucionin e tij kulturor.
Marinetti do ta kishte pëlqyer platformën X të Muskut dhe do të admironte postimet e tij provokuese, sepse, mbi të gjitha, ishte një komunikues i shkëlqyer. Ai arriti ta publikonte të plotë Manifestin Futurist – shpalljen e tij për një grupim të panjohur avangard – në faqen e parë të gazetës Le Figaro më 20 shkurt 1909. Ky sukses publicitar përcaktoi tonin për “mbrëmjet futuriste” të reklamuara që ai dhe ndjekësit e tij organizuan nëpër Evropë, përfshirë një shfaqje në Koloseumin e Londrës, ku skandalizuan botën eduardiane dhe provokuan qëllimisht përleshje.
Por, Marinetti e tejkaloi Muskun politikisht. Ndërsa themeluesi i Tesla-s mbështet individë të djathtë të papërgjegjshëm, Marinetti bashkëpunoi me origjinalin: fashistin e vetëshpallur, bashkëqytetarin e tij milanez, Benito Mussolini – diktatorin e Italisë nga viti 1922 deri në 1943. Në vitin 1915, Marinetti dhe Mussolini ishin ndër zërat më të fuqishëm që kërkonin që Italia neutrale të hynte në Luftën e Parë Botërore, në anën “moderne” franko-britanike, kundër perandorisë së kalbur Austro-Hungareze. Ata u arrestuan së bashku për këtë nxitje, por ia dolën të fitonin debatin.
Vdekjet e futuristëve në luftën që Marinetti aq shumë e dëshironte, duke përfshirë edhe artistin më të madh të lëvizjes, Umberto Boccioni, nuk e zhgënjyen aspak. Pas një akti nacionalist, ai dhe Mussolini u burgosën së bashku. Futurizmi u bë gjithnjë e më shumë politik, duke formuar trupat e veta luftarake. Në vitin 1919, futuristët ishin mes forcave anti-liberale që u bashkuan në Milano për të themeluar fashizmin. Marinetti ishte një nga kandidatët e parë elektoralë të kësaj lëvizjeje.
Futurizmi dhe fashizmi u shkëputën vetëm sepse Marinetti ishte shumë radikal për mbështetësit e klasës së mesme të Mussolinit. Duke urryer kontrollin e kishës mbi Italinë, ai mbajti një fjalim ku sulmoi Papatin në Kongresin e Parë Fashist. Kjo nuk ishte ajo që Mussolini kishte nevojë, teksa ndërtonte hegjemoninë e tij konservatore. Në vend të kësaj, Marinetti u shndërrua në një ikonë të urtë artistike të diktaturës, i emëruar në Akademinë e Italisë nga Mussolini në vitin 1929. Ai mbeti besnik dhe vdiq mes fashistëve të linjës së ashpër në Republikën Socialiste të Mussolinit në vitin 1944.
Fashizmi nuk ishte një strukturë monolitike dhe kishte dallime, ashtu si edhe lidhje, midis Italisë së Mussolinit, Gjermanisë së Hitlerit dhe, për shembull, “Konservatorëve Kombëtarë” të Admiralit Miklós Horthy në Hungari. Megjithatë, një gjë që të gjithë fashistët në fillim të shekullit XX kishin të përbashkët ishte glorifikimi i dhunës që filloi me Manifestin Futurist të Marinettit.
Për të kuptuar këtë dokument të jashtëzakonshëm të botës moderne, duhet të imagjinoni si ishin gjërat në vitin 1909. Fluturimi i njeriut ishte ende më pak se një dekadë i vjetër. Titaniku ende nuk ishte fundosur. Sa i përket artit modern, ai ishte ende në fazat e tij fillestare, ndërsa Picasso dhe Braque punonin në fshehtësi për të përsosur kubizmin.
Marinetti shpiku vetë manifestin artistik, një formë retorike që më vonë u përvetësua nga surrealizmi, lëvizja Fluksus dhe të tjerë. Si një zgjatim, ai krijoi gjithashtu idenë e lëvizjes artistike si një grupim pothuajse ideologjik. Ndryshe nga “izmat” e mëparshëm, të cilët zakonisht merrnin emrat e tyre tallës nga kritikët, futurizmi shpalli vetveten.
Lufta është në zemër të estetikës së re të shpallur nga manifesti i tij. “Ne synojmë të lartësojmë veprimin agresiv … grushtin dhe shuplakën”, thotë ai që në fillim, duke sugjeruar një oreks avangard për dhunën komike, të ngjashme me dadaistët dhe surrealistët. Por, kjo është ndryshe: “Asnjë vepër pa një karakter agresiv nuk mund të jetë kryevepër”. Pastaj vjen fraza vrastare: “Ne do të glorifikojmë luftën – higjienën e vetme të botës – militarizmin, patriotizmin, gjestin shkatërrues të atyre që sjellin lirinë, idetë e bukura për të cilat ia vlen të vdesësh dhe përbuzjen për gruan”.
Pra, jo shuplaka komike, por luftë e mirëfilltë, plus militarizëm, nacionalizëm dhe mizogjinizëm. Marinetti artikuloi dëshirën për gjakun që përndoqi Evropën në fillim të shekullit XX dhe që u shpreh gjerësisht kur turmat e burrave të rinj dhe entuziastë përshëndetën shpërthimin e luftës në vitin 1914. Si mundi që shkrirja e tij e disonancës moderniste, me nacionalizmin e zjarrtë dhe admirimin për ushtritë, të ishte kaq para kohe?
Është e lehtë të minimizohet lidhja mes futurizmit dhe fashizmit, duke u përqendruar te marrëdhënia e ndërlikuar e Marinettit me Mussolinin ose te vendi i vogël që futurizmi zinte në Italinë fashiste. Por, fakti është se manifesti i Marinettit është shprehja e parë rrëqethëse e dashurisë për luftën dhe kultit irracional të nacionalizmit që nxiti fashizmin. Ndoshta fashizmi është një vepër arti futurist.
Për hir të së vërtetës, Marinetti nuk u kufizua vetëm duke qëndruar në një kafene për të lavdëruar luftën. Fushëbeteja e tij drithëruese e fjalëve, Zang Tumb Tuuum, përshkruan rrethimin e Adrianopojës, një betejë e viteve 1912-‘13 gjatë Luftës së Parë Ballkanike, të cilën ai e pa me sytë e vet. Madje, ai arriti të bindte një gazetë londineze që të botonte raportimet e tij mbi luftën. Zang Tumb Tuuum është një tekst i çrregullt që përfshin elemente të huazuara nga raportimet e gazetave deri te shkronjat e posterave. Është si disonanca tekstuale e praktikuar nga James Joyce ose William Burroughs – me përjashtimin që, sigurisht, Marinetti ishte i pari.
A është poezia tragjike? Marinetti u jep zë të dy palëve – turqve dhe bullgarëve, si dhe serbëve që sulmonin ata – dhe regjistron viktimat. Poezia e tij ndan cilësinë njerëzore të pikturave të Boccionit, si Gjendje mendore II: Ata që shkojnë. Marinetti nuk e ndau kurrë formën nga përmbajtja. Poezia e tij është për luftën dhe profetizon luftën si një gjendje moderne – dhe këtë e bën me saktësi.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Marinetti plak ndërmori një udhëtim për te trupat italiane që luftonin krah Gjermanisë naziste në Frontin Lindor. A e shihte ende bukurinë në atë ferr? A ishte kjo “higjiena e botës”? Sigurisht, ajo “pastroi” miliona jetë.
Marinetti është një nga modernistët më të mëdhenj. Ato mbrëmjet e zhurmshme futuriste shpesh shihen si lindja e artit performativ. Ideja e zgjeruar e artit që ai shpalli, si një veprim në botë, është burimi i aq shumë veprave sot. Jeremy Deller, Marina Abramović dhe Gilbert & George i detyrohen shumë Marinettit.
Por, njohuritë e tij më të shkëlqyera mbeten ato më të tmerrshmet. Marinetti kuptoi se një botë e fuqizuar teknologjikisht nuk do të thotë domosdoshmërisht një botë më racionale. Sot, fjalët e tij tingëllojnë të frikshme me përzierjen e optimizmit teknologjik dhe ligësisë politike. Ai na tregon diçka të pakëndshme për përparimin modern: ai nuk ka pse të jetë demokratik ose liberal. Futuristët janë brumë për fashistë të shkëlqyer. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëFadil Hoxha, prill 1994: Tito dhe Kardeli thanë: Çka ju duhet republika!? Kujdes prej Serbisë...!
Udhëtimet e Çelebiut në Shqipëri
Futuristët janë brumë për fashistë të shkëlqyer!
Shkupi i shekullit XVII, sipas udhëpërshkruesit të famshëm osman
PËRVOJË ...
“Procesi”
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
“Nuk do të tentojmë që të ndërpresim rrugëtimin e Gjestit”, Alaudini nis spektaklin me ‘thumba’
Si mund të bëhet Grenlanda pjesë e SHBA-ve?
Publikohet lista e pagave të lojtarëve të Man United - kryesojnë të 'dështuarit'
Lejet për armë bëjnë bum në Kosovë
“Ai nuk vrapon mjaftueshëm”, stafi i Barcelonës kundër transferimit të yllit portugez
Qytetarët në mënyrë gjeniale penguan që shtëpia e fqinjit të merrte flakë në Los Angeles