LAJMI I FUNDIT:

Futbollisti i 20 skuadrave dhe me dy mbiemra

Futbollisti i 20 skuadrave dhe me dy mbiemra

Edhe pse ka vetëm tre vjet që i ka thënë lamtumirë futbollit aktiv, Arsim Plepolli është plotësisht i gatshëm ta marrë drejtimin e ndonjë ekipi në Superligën e Kosovës.

Megjithatë, për të pranuar ofertën e ndonjë skuadre Plepolli, 38-vjeçar, ka disa parime të cilat nuk vjen në shprehje t’i thyejë, shkruan sot Koha Ditore. Pikërisht shkaku i këtyre parimeve Plepolli nuk arriti marrëveshje me disa skuadra të elitës së Kosovës për ta marrë postin e kryetrajnerit. Paratë nuk janë parimi i tij primar, por stafi i trajnerëve që e dëshiron ta ketë pranë vetes te cilado skuadër që do të punojë.

"Jam plotësisht i gatshëm të marr çdo ekip, por jo qysh duan kryesitë e klubeve. Në ekip dua të futem në mënyrë profesionale, pra ta kem stafin tim. Nuk më pëlqen të shkoj në mënyrë amatore, por dua të ndjek mënyrat profesionale për shkak se një trajner nuk mund ta udhëheqë i vetëm ekipin në stërvitje pa ndihmësit e tij", shprehet Plepolli, që me çdo kusht kërkon ta ketë edhe mjekun të pranishëm në çdo stërvitje, gjë që, sipas tij, në Kosovë nuk ekziston fare. "Gjatë verës kam biseduar me tri-katër skuadra dhe ishim shumë afër marrëveshjes, por unë kam parimet e mia që do t’u përmbahem. Nuk është puna te paraja, por te stafi dhe mjeku. Unë i kam përjetuar këto gjëra si futbollist, pasi kam bërë karrierë jashtë Kosovës për 15 vjet".

Ai me 35 vjet është larguar nga futbolli aktiv, pasi e ka parë të udhës që të fillojë me zejen e trajnerit dhe thotë se në këtë sport do të qëndrojë përjetë.


"Kam mundur pa problem të luaja ende, por pashë që nuk ka ndonjë të ardhme në futbollin e Kosovës dhe kështu vendosa të nisja karrierën e trajnerit", tha ai.

Plepolli ka edhe një shkollë të futbollit, kurse muaj më parë është pajisur edhe me licencën A të UEFA-s. Ai gjithashtu punon edhe si menaxher, pasi thotë se ka lidhje të forta me menaxherët më të mirë të Ballkanit. Dhe të gjitha këto i ka krijuar falë karrierës së tij prej futbollisti.